E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet trajneri i kombëtares rumune

Nga Altin Latifi
Trajneri i kombëtares rumune Viktor Piturka është shoqëruar për disa orë në Prokurorinë anti-korrupsion, pasi akuzohet se nuk i është përgjigjur thirrjes për gjyq në një rast trukimi ndeshje. Piturka u lirua pas disa orësh dhe më pas deklaroi se organi i akuzës patën abuzuar me detyrën. 

RUMANI- Trajneri i kombëtares rumune Viktor Piturka është prangosur të enjten në aeroport, nga prokurorët anti-korrupsion të Rumanisë. Sipas agjencisë Mediafax, ai nuk i është përgjigjur thirrjes për gjyq të organit të akuzës në lidhje me një çështje trukimi të ndeshjeve në kampionatin vendas, ku dyshohet se ka fshehur një akt kriminal.Gjithçka lidhet me pronarin e Steauas së Bukureshtit Xhixhi Bekali, i cili është nën hetim për trukime të ndeshjeve të futbollit. Ai i ka ofruar 2.6 milionë dollarë klubit rival të Kluzh për ndeshjen e fundit të kampionatit, në muajin qershor, në mënyrë që Steaua të fitonte titullin. Piturka pati mbrojtur Bekalin, duke thënë më parë se këto para nuk ishin për të manipuluar ndeshjen, por për një marrëveshje merkatoje. Një gjë e tillë nuk është besuar nga Departamenti Anti Korrupsion i organit të akuzës, që lëshuan një urdhër shoqërimi për të. Piturka ishte duke u kthyer në vendlindje nga Viena, ku ishte për të parë ndeshjen mes dy kundërshtarëve të grupit 7, atë mes Austrisë dhe Serbisë, të fituar nga kjo e fundit 3-1. Policët e shoqëruan trajnerin nga aeroporti për në zyrat e Prokurorisë Anti-Korrupsion, ku atij iu bënë të ditura akuzat e ngritura tij dhe iu kërkua sërish dëshmia. Më pas, Piturka u lirua, por ai akuzoi direkt prokurorët se kishin abuzuar me detyrën, duke kërkuar edhe shkarkimin e oficerëve që bënë shoqërimin e tij. Çështjet e trukimit të ndeshjeve, janë një fenomen mjaft i përhapur në Rumani. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›