“Shqipëria s’ka shkelur embargon e OKB-së - kjo është rilindje shpifëse”
Ministria e Mbrojtjes reagon pas akuzave të opozitës për armët në Libi
Ministra e Mbrojtjes reagon pas akuzave të Partisë Socialiste se Shqipëria ka shkelur embargon e armëve të OKB-së, duke dërguar municione në Libi gjatë konfliktit civil dhe revoltës kundër regjimit të Muamar Gadafit. Akuzat u bënë publike dje nga deputeti Ilir Gjoni. Ndërkohë sot, Sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Edvin Kulluri i ka quajtur shpifje deklaratat e PS-së.
Sipas tij Shqipëria nuk ka thyer embargon e armëve të OKB-së. “Ministria e Mbrojtjes, e gjendur përballë fushatës për rilindje të shpifjeve ndaj institucionit dhe shtetit, është e detyruar t’i përgjigjet pretendimeve absurde të ngritura nga deputetë të opozitës për thyerje të embargos mbi Libinë. Kontrata për eksport municioni në fjalë është realizuar me një vend mik dhe forcat e tij të armatosura, që sipas raportit të panelit të ekspertëve të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, janë pronar dhe përdorues të fundit ligjorë. Ministria e Mbrojtjes disponon të gjithë informacionin ligjor, të cilin ia ka vënë në dispozicion dhe panelit të ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E thënë ndryshe, për Shqipërinë nuk ka thyerje të embargos”, deklaroi ai. Ndër të tjera, sekretari i dikasterit të Mbrojtjes Kulluri vuri në dukje se, “Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur një hetim për këtë sasi prej 800.000 fishekësh 12.7 mm, të cilat janë gjetur në destinacione të tjera. Gjithnjë sipas raportit të panelit të ekspertëve, kjo sasi municioni ka shkuar në mbështetje të forcave rebele anti-Ghadafi. Duke iu referuar këtij dokumenti (ku shumë mirë mund ta gjeni dhe online), rezulton se në deklaratat e opozitës dallohen qartazi dy elementë dezinformues: Së pari, se Shqipëria nuk ka thyer asnjë embargo ndërkombëtare. Së dyti, ritheksojmë se ky municion nuk ka shkuar për regjimin e Ghadafit, por për forcat anti-regjim. Ndaj nuk kuptojmë ndjeshmërinë e lartë të Partisë Socialiste ndaj aleatit të vjetër të saj, Kolonel Muhamer Ghadafit, si i përzgjedhur këtë herë në fushatën e pandërprerë shpifëse të kësaj force politike ndaj shtetit shqiptar”, përfundoi Kulluri.