E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria stabilitet të qartë ekonomik

12/02/2009  Hungaria nënvizon objektivin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Ministri Basha vlerëson mbështetjen për procesin e anëtarësimit në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha ka marrë siguri nga homologia e tij hungareze Kinga Goncz për bashkëpunim ekonomik shumë më të ngushtë mes dy vendeve. Gjatë takimit në Budapest kryediplomatët kanë shprehur vullnetin e qeverive të tyre për të angazhuar të gjitha forcat për të arritur qëllimin. Ministrja hungareze Goncz pohoi se me gjithë krizën aktuale ekonomike ekzistojnë mundësitë që biznesi hungarez të jetë më aktiv në gjetjen e tregjeve të reja, ku Shqipëria pa dyshim që ofron mundësi të shumta. “Do të çojmë përpara nivelin e bashkëpunimit tregtar me Shqipërinë, pasi Shqipëria demonstron një stabilitet shumë të qartë ekonomik me gjithë krizën globale”, - ka deklaruar ministrja Goncz në konferencën e përbashkët për shtyp. Nga ana e tij ministri Basha e siguroi homologen e tij mbi angazhimin e palës shqiptare për të mbështetur fuqimisht projektet e biznesit hungarez në Shqipëri. Për të konkretizuar këto angazhime, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Agjencia Hungareze për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, i cili do t’i japë një nxitje të mëtejshme bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Gjatë takimit ministri i Jashtëm shqiptar vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë midis dy vendeve tona, mbështetjen tepër të çmuar që Hungaria i ka dhënë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si vendi i parë që e ratifikoi protokollin e anëtarësimit. Po ashtu ai vlerësoi ndihmën në funksion të procesit të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për sa u përket zhvillimeve në rajonin tonë, ministri Basha, pasi falënderoi Hungarinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e vuri theksin te rëndësia që merr forcimi i perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministri Basha bëri një ekspoze të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, duke u ndalur në veçanti te reforma ekonomike, reforma elektorale dhe ajo e sistemit të drejtësisë. Nga ana e saj ministrja Goncz rikonfirmoi angazhimin e vendit të saj për integrimin e plotë të rajonit në strukturat europiane dhe euroatlantike. “Ne e vlerësojmë shumë rolin e Shqipërisë në proceset e stabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke qenë të bindur se ky është një pozicion shumë delikat. Janë bërë hapa shumë seriozë nga Shqipëria për afrimin e saj me Bashkimin Evropian dhe Hungaria mbështet plotësisht Shqipërinë në aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat në BE. Theksoj edhe një herë mbështetjen e Hungarisë për Shqipërinë në çuarjen përpara të këtyre proceseve”, - deklaroi ajo.

Bashkëpunimi ekonomik

Kreu i diplomacisë shqiptare dhe asaj hungareze kanë deklaruar angazhimin për bashkëpunimin ekonomik. Klima ndaj biznesit në vendin tonë është vlerësuar si tepër pozitive nga ministri Basha, gjë që është pohuar nga homologia e tij Kinga Goncz. “Shqipëria demonstron një stabilitet shumë të qartë ekonomik me gjithë krizën globale”, - ka deklaruar ministrja Goncz. Në fund të takimit u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

Mbështetje proceseve

Hungaria do të përkrahë aspiratat integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Ministri Basha dhe ministrja Goncz gjatë takimit kanë pasur në qendër të bisedimeve çështjet e bashkëpunimit dypalësh, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën “Shengen” dhe zhvillimet në rajonin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›