E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria synon suksesin në shtëpinë e Azerbajxhanit

Ora 17:00 e ditës së sotme, në Azerbajxhanin e largët, do të fiksojë edhe startin e sprovës së radhës për Shqipërinë eksperimentale të trajnerit Ari Han.

Pikërisht ndaj përfaqësueses vendase, kuqezinjtë do të synojnë ta pasurojnë me një fitore periudhën e mirë të koleksionuar në 4 ndeshjet e para të Eliminatoreve të Botërorit 2010.  

Por, edhe pse është vetëm një miqësore kundër një kundërshtari modest, të cilin e kemi mundur 3 herë në katër ndeshje të zhvilluara, suksesi në këtë ndeshje mund të shërbejë jo vetëm për moral, por edhe për një dedikim të veçantë: 60-vjetorin e trajnerit holandez të përfaqësues sonë.

Këtë motivim ekstra e konfirmon edhe mbrojtësi i Kombëtares, Armend Dallku, i cili e konsideron të rëndësishme përballjen me Azerbajxhanin, ku, sipas tij, kjo do të jetë mundësi e mirë për trajnerin holandez, Ari Han, që të shohë nga afër disa futbollistë të rinj, si Gliman Lika, Xhevahir Sukaj e Gjergji Muzaka.

“Është e vërtetë se do të mungojnë disa titullarë, por kjo do të jetë një mundësi e mirë për trajnerin që t’i shohë futbollistët e rinj dhe ta kolaudojë ekipin. Futbollistët e rinj do të mundohen të japin maksimumin nga vetja. Është normale që për ta do të jetë ndeshja e parë dhe ndoshta mund të kenë emocione, por unë besoj në talentin e tyre”, deklaroi dje Dallku”.

Për mbrojtësin kosovar të ukrainasve të Vorskla Polatvës, niveli i kundërshtarit nuk është më i lartë se i Shqipërisë, duke shtuar se kjo ndeshje mund të jetë eksperimentale edhe për vetë skuadrën e drejtuar nga Berti Vogs, i cili synon të provojë disa nga futbollistët e tij të rinj.

Dallku beson se kuqezinjtë do ta vazhdojnë serinë e ndeshjeve pozitive. Ai dhe shokët e tij të skuadrës dëshirojnë të fitojnë në këtë sfidë, edhe si dhuratë për trajneri Han, i cili të dielën festoi 60-vjetorin në aeroportin e Stambollit.

“Ky takim është i rëndësishëm për ne, do të luajmë si në çdo ndeshje, për rezultat pozitiv. Do të jetë kombinim i mirë në mes të futbollistëve me përvojë dhe atyre të rinj. Të gjithë do të japim maksimumin. Fitorja është objektivi ynë, pasi do të ishte edhe dhurata më e mirë për ditëlindjen e trajnerit tonë”, nënvizoi Dallku.

Në këtë takim, Kombëtares shqiptare do t’i mungojnë, për shkak të lëndimeve, kapiteni Altin Lala, sulmuesi Erjon Bogdani dhe portieri Arjan Beqaj.

Ndërsa trajneri holandez i ka dhënë leje kapitenit të Marsejës, Lorik Cana, për shkak të angazhimeve me ekipin e tij. Duke njohur forcën reale të të tijve, trajneri i Azerbajxhanit, Berti Vogs, ka deklaruar se objektivi i tij në këtë ndeshje “nuk do të jetë domosdoshmërisht fitorja.

 Më intereson të shoh problemet e skuadrës dhe të provojë disa futbollistë të rinj”, theksoi trajneri gjerman i kundërshtarëve. Miqësore Azerbajxhan-Shqipëri do të zhvillohet sot, në orën 17:00, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, dhe do të transmetohet nga platforma “SuperSport”.
 



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›