E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evertoni dhe Arsenali duan Canën

Klubet angleze vazhdojnë të kërkojnë shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Sipas agjencive franceze të lajmeve, interesimi i Evertonit është më i madh se asnjëherë tjetër.

Ata shohin te kapiteni i Olimpikut të Marsejës përforcimin ideal për të ndërtuar një skuadër që synon të ecë në Kupat e Evropës.

Spekulimet flasin se skuadra, e drejtuar nga tekniku Devid Mojes, mund të bëjë një ofertë zyrtare për Canën që prej merkatos së janarit, por është shumë e vështirë që Marseja të pranojë largimin e lojtarit kryesor në mes të sezonit.

Anglezët e vlerësojnë afro 12 milionë euro kartonin e 25-vjeçarit, megjithatë, kalimi në “Gudison Park” nuk e “josh” lojtarin. Përveç Evertonit, Lorik Cana ndiqet me vëmendje edhe nga disa klube të tjera të Premiershipit, ku më prestigjiozi është Arsenali.

Vetëm pak ditë më parë, trajneri i “topçinjve”, Arsen Venger, ka folur për problemet që skuadra ka në mesin e fushës, ku mungon një lojtar i fuqishëm për të ndihmuar mbrojtjen. Numri 5 i Kombëtares kuqezi është alternativa ideale, madje francezi tentoi ta blinte gjatë merkatos së verës.

Oferta, e cila përflitet se ishte afro 20 milionë euro, u refuzua vetëm sepse drejtuesit e skuadrës franceze nuk mund të shisnin kapitenin disa javë pasi sezoni kishte filluar.

Megjithatë, synimi i Lorikut duket se është transferimi te Bajerni i Mynihut. Vetëm pak ditë më parë, ai pohoi se mes klubeve të shumta që interesohen, do t’i pëlqente të veshë fanellën e kampionëve të Gjermanisë.

Madje, Cana theksoi se shumë shpejt (në merkaton e janarit), do të refuzonte një ofertë nga një klub anglez (që sipas gjasave është Evertoni).

Tashmë duket se dy klubet më të mëdha në garë do të jenë Arsenali dhe Bajerni dhe fitues do të shpallet vetëm ajo skuadër që ofron shifrën më të lartë. Për zv/kapitenin e Shqipërisë, largimi gjatë verës nga Marseja do të jetë një hop cilësor dhe shansi për t’u bërë edhe më i njohur në arenën ndërkombëtare.



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›