Investimet do ta shndërrojnë Orikumin në një qendër të fuqishme evropiane

Në vijim të vizitës në qytetin e Vlorës, kryeministri Sali Berisha inauguroi dje unazën e re të Orikumit investim me vlerë 1, 2 milion dollarë. Duke e cilësuar Orikumin një bizhu në brigjet e Shqipërisë, Kryeministri u shpreh se tashmë Orikumi po kthehet në identitet.
“Ky është Orikumi që po ndërtojmë, Orikumi një bizhu e vërtetë në brigjet e Shqipërisë, i cili po kthehet në identitet, një qendër e fuqishme evropiane. I tillë ka qenë që në kohëra dhe i tillë po bëhet”, u shpreh Berisha.
Më pas, kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Balill Prelari” së bashku me shtesën e re të shkollës, investim me vlerë 43 milion lekë. Duke vizituar mjediset e reja dhe bashkëkohore të mësimdhënies, Kryeministri u shpreh se kjo shkollë e pajisur me laboratorë të ndryshëm dhe kabinet modern informatike, do të përballojë më së miri, sipas standardeve evropiane, nevojat për shkollim të fëmijëve të zonës.
Në bashkëbisedimin me nxënësit, kryeministri u premtoi atyre, se shumë shpejt, ata do të kenë mundësi të navigojnë në internet, jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpitë e tyre.
...