Ministri i Financave, Ridvan Bode, merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës Lin-Pogradec

Qeveria, 31 milionë lekë për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin Lin me Pogradecin
Me një fond prej 31 milion lekësh nga buxheti i shtetit, kanë nisur sot punimet për rikonstruksionin e rrugës me gjatësi rreth dy kilometra që lidh fshatin turistik të Linit, në juglindje të vendit, me rrugën nacionale Pogradec-Prrenjas.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve, u shpreh se “Investimi për rrugën e fshatit Lin është vazhdim i investimeve madhore në rrethin e Pogradecit, për ta shndërruar atë në një nga zonat më të mira të turizmit në Ballkan”.
Ministri Bode, njëkohësisht i pari në listën shumemërore të kandidatëve për deputetë në qarkun e Korçës, theksoi se investime të tjera për zhvillimin e turizmit do të kryhen në rrethin e Pogradecit, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik për këtë zonë të jetë edhe më i mbarë për banorët.
“Përmirësimi i infrastrukturës rrugore që të çon në fshatin Lin, vjen pas ndërtimit të superstradës Korçë-Qafë Plloçë, që jo vetëm ka shkurtuar ndjeshëm distancën kohore midis Korçës e Pogradecit, por ka kthyer në një treg unik këto dy qytete”, tha Bode.
Kjo zonë njihet dhe për një tjetër vlerë antike, pasi në kodrën mbi këtë fshat është zbuluar mozaiku i lashtë i Linit, që cilësohet si një nga vlerat më të rëndësishme të rrethit për tërheqjen e vizitorëve.
...