E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri kujdes! Suedezët, hile duke afruar shtyllat

Përveç klasit të kundërshtarëve, në sfidën e 14 tetorit në Suedi, Kombëtarja shqiptare duhet të tregohet e kujdesshme edhe prej hileve të kundërshtarëve. Në fakt, në orët e fundit në vendin nordik ka shpërthyer një skandal, në të cilin është zbuluar se në fushë, stadiume, portierët lëvizin shtyllat, duke "zvogëluar" me disa centimetra gjatësinë e portave. Gjithçka është konfirmuar nga pamjet filmike të "Canal Plus", në të cilat pasqyrohej portieri danez i IFK Goteborg, Kim Kristensen. Në videon që ka bërë xhiron e botës, përpara sfidës së rëndësishme në fushën e Orebros, të vlefshme për Allsvenskan (Premierliga suedeze), "gardiani" shkelmonte dhe shtynte dy shtyllat pingule të portës që mbronte. Gjyqtari i takimit e kuptoi episodin vetëm kur kronometri tregonte 20 minuta lojë: ai rikthehu portën në pozicionin e mëparshëm, por nuk mori asnjë masë disiplinore. Ndeshja përfundoi në barazim 0:0, ndërsa Komisioni i Disiplinës nuk e ndëshkoi lojtarin për veprimin, edhe pse ai mund të klasifikohej në nenet që flasin për mashtrime.

Por, pjesa që shkakton më shumë çudi në të gjithë këtë histori është se veprimi i Kristensen cilësohet si "një marifet i vjetër i portierëve". I gozhduar nga pamjet e transmetuara, "gardiani" pranoi veprimin e tij duke deklaruar: "Në disa stadiume rreth e qark Suedisë, shtyllat nuk janë të futura brenda në fushë. Në të tilla raste, tenton t‘i shtysh aq sa mundesh, për ta zvogëluar portën me disa centimetra. Ky sekret më është thënë nga një miku im portier disa vjet më parë dhe që prej asaj kohe e kam përdorur disa herë". Sipas mediave suedeze, me këtë veprim, distanca mes shtyllave zvogëlohet me rreth 25 centimetra, nga gjatësia standarde 7.3. Pohimi vjen edhe nga portieri i tretë i kombëtares suedeze, Xhon Alvbag, i cili militon në radhët e Orebros, ky është një "sekret i zanatit" që vetëm "gardianët" e njohin dhe e transmetojnë nga brezi në brez që prej viteve ‘70. Madje, ai shprehet se spostimi i shtyllave është diçka që ndodh rëndom në fushat e Allsvenskas. "Natyrisht, ka pasur raste që edhe unë i kam afruar shtyllat. Kjo ndodh në të gjitha ndeshjet e kampionatit, ku portierët mundohen të ‘fitojnë‘ disa centimetra", tha lojtari i përfaqësueses me të cilën Shqipëria do të ndeshet në ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit 2010. "Gjithsesi, më duhet të them se nuk kisha parë asnjëherë lëvizje kaq të madhe të shtyllave si në rastin e Kimit. Zakonisht, kjo bëhet kur ekzekutohet ndonjë goditje këndi, kur ka lojtarë që qëndrojnë nëpër shtylla. Në Suedi, spostimi i shtyllave ka filluar që prej viteve ‘70 dhe përdoret shpesh nga portierët". Ai shtoi: "A quhet ky mashtrim? Gjatë goditjeve të lira lojtarët e lëvizin ose e gjuajnë topin sipas dëshirës. Hiletë në fushë janë të zakonshme, ky është futbolli". Kuqezinjtë e kanë marrë paralajmërimin: në Suedi, në stadiumin "Rasunda" të Solnas, dikush duhet të vëzhgojë me kujdes shtyllat…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›