E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana e Lonçareviç ka probleme, por në Fier kërkon vetëm fitoren

Futbolli i kampionatit shqiptar do të rikthehet sot me ndeshjet e javës së pestë, ku spikasin dy takimet, Apolonia-Tirana dhe Teuta Vllaznia, ndërsa dy kryesueset, Besa dhe Dinamo, do të luajnë në shtëpi, respektivisht ndaj Skënderbeut dhe ndaj Shkumbinit. Për bardheblutë, edhe pse jo në formë, nuk lejohen më hapa falsë nëse do të duan të ruajnë hapin e Dinamos dhe Besës. Kampionët do të jenë mysafirë të Apolonisë në "Loni Papuçiu". Fierakët do të synojnë fitoren para tifozëve të tyre të zjarrtë, pas humbjes së një jave më parë në Laç. Vetë trajneri i kryeqytetasve, Ilia Lonçareviç, e ka quajtur ketë sfidë si shumë të vështirë për skuadrën e tij. "Luajmë ndaj një kundërshtari të rrezikshëm, i cili do të provojë të japë më të mirën përpara publikut të tij, pasi vjen nga një humbje, u shpreh tekniku kroat". Më pas, trajneri bardheblu vë theksin edhe te problemet në lojën e skuadrës së tij, kjo edhe për shkak të mungesave. "Ne nuk jemi ende në formën tonë më të mirë e për më tepër edhe Muzaka e Abraham nuk janë rikuperuar plotësisht, nënvizon Lonçareviç. Ata mund ta nisin ndeshjen nga stoli. Ahmataj për momentin është një zgjedhje më e mirë se Abraham. Duhet të përmirësohemi në lojën nga krahët dhe të lidhemi më mirë në minutat e para të ndeshjes". E megjithatë, tekniku kroat i kampionëve në fuqi të vendit pohon se objektivi i tyre në këtë sfidë të vështirë do të jetë vetëm fitorja, edhe pse pranon që nuk e njeh mirë forcën e Apolonisë. "Nuk kam informacion të mjaftueshëm mbi kundërshtarin, por e njoh nga trofeu ‘Kujtim Majaci‘ dhe nga disa informacione të vogla që kam marrë për përballjet e tyre në kampionat. Megjithatë, besoj shumë te fitorja e skuadrës time", përfundon Lonçareviç. Në fushë pritet të zbresë e njëjta Tiranë si kundër Besës. Ndeshje të vështirë ka edhe Vllaznia në Durrës përballë Teutës ambicioze. Dinamo-Shkumbini dhe Besa-Skënderbeu duken në pamje të parë sfida jo shumë të vështira për vendasit, që kanë mundësi reale për t‘i shtuar llogarisë së tyre edhe 3 pikë të tjera. Një derbi interesant pritet të jetë edhe ai i stadiumit të Krujës, ku Kastrioti vendas do të presë Laçin. A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›