E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kendi i librit

Autor: Lenna Lander

Titulli: "Urdhri"

Botoi: "Dituria"

Çmimi: 800 lekë

Cili është krimi që ka bërë Miina Malin, çfarë ngjau mes saj dhe Aaro Harjulas, çfarë fshehin të gjithë, çfarë kërkon vërtet të mësojë gjykatësi Emil Halenberg? Një grua revolucionare e burgosur, e akuzuar për një krim mizor, një ushtar që nuk i është bindur urdhrit për ta vrarë, një gjykatës-shkrimtar i ngarkuar me çështjen. I gjithë romani zhvillohet mes këtyre tre personazheve dhe mes tensionit të vazhdueshëm të raportit të paqartë që i lidh, mes armiqësisë dhe tërheqjes, urrejtjes dhe dashurisë, vullnetit për sundim dhe prirjes për ligështim dhe shlyerje fatale.

Autor: Jannis K. Smiriniotakis- Jannis Ios. Sifakis

Titulli: "Mençuria popullore"

Botoi: "Morava"

Çmimi: 1000 lekë

Çdo gjë e mençur dhe e bukur që populli grek ka thënë përgjatë viteve, është përmbledhur në këtë libër, në 10.000 proverba që ai përmban. Libri cilësohet si një thesar i vërtetë i urtësisë popullore, si një burim i freskët diturie, si esenca e mençurisë popullore e të gjithë shekujve ku fuqia dhe vlera e saj janë të përhershme dhe e vërteta e saj është e pranueshme nga të gjithë. Proverbat janë eksperienca të njerëzve të thjeshtë, por të ndritur, që në pak fjalë të thjeshta përmbledhin mësime të mençura për të gjitha veprimet e mendimet e njeriut.

Autor: Roger. Backhouse

Titulli: "Historia e teorive ekonomike"

Botoi: "Bota shqiptare"

Çmimi: 1200 lekë

Askush nuk mund ta injorojë ekonomiksin. Nuk janë kurrë të mjaftueshme burimet për t‘iu qasur atij, ngaqë shoqëria njerëzore gjithmonë është përballur me çështje të rëndësishme të parasë, tregjeve, shkëmbimeve, çmimeve dhe prodhimit. Këtë histori autoritative, Roger Backhouse e ofron nga grekët e lashtë deri në shekullin XXI. Me analizimin e figurave të mirënjohura, autori sjell disa ide mbi tema të rëndësishme të patrajtuara më parë. "Historia e teorive ekonomike" ofron një panoramë përmbyllëse të këtij subjekti të rëndësishëm.

Autor: Fatos Kongoli

Titulli: "Bolero në vilën e pleqve"

Botoi: "Toena"

Çmimi: 600 lekë

Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t‘i shtjerë në dorë. Duke sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, ku femra është më e pambrojtura. Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›