E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100% elektronik

Zëdhënësja e Qeverisë dhe njëherësh Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një komunikim për median përshëndeti vendimin e Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e Shqipërisë me çmimin e ekselencës për prokurimet elektronike. “Reduktimi i burokracive dhe përmirësimi i shërbimeve publike si pjesë e reformave të kësaj qeverie për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, janë vlerësuar maksimalisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vlerësimin e saj vjetor për qeverisjen dhe administratën publike”, deklaroi Bregu. Sipas saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara i akordon Agjencisë së Prokurimeve Publike të Shqipërisë çmimin e ekselencës. Ajo tha se agjencia shqiptare e prokurimeve publike renditet përkrah 15 institucioneve në mbarë botën që merr çmimin për shërbime publike të shkëlqyera për vitin 2010. “Shqipëria renditet e dyta pas Gjermanisë në grupimin e vendeve të Evropës dhe Amerikës së Veriut për përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të shërbimeve publike”, vëri të ditur Zëdhënësja e Qeverisë. Sipas Bregut, nga një sistem bllokues në letër i procesit të tenderimit, me mbi 70 për qind të tenderëve të hapur, para 5 vitesh, një procedurë që shoqërohej nga mungesa e transparencës dhe niveli i lartë i korrupsionit, sot Shqipëria është vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100 përqind elektronik të detyruar, për të gjitha shërbimet publike. Më tej, ajo tha se duke ofruar siguri, transparencë dhe prakticitet për komunitetin vendas dhe ndërkombëtar të biznesit. Zyrtarja e lartë e Qeverisë tha se ky është motivacioni që vlerëson Shqipërinë me çmimin e ekselencës për shërbimet publike. Pasi, siç nënvizoi ajo, ky vlerësim vjen si rezultat i reformave të fuqishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Sot Shqipëria në vlerësimin e Kombeve të Bashkuara është vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100 për qind elektronik detyrues, duke bërë të mundur kalimin nga 70 për qind të prokurimeve publike –të hapura , para 5 vitesh, në 100 për qind procedura elektronike prokurimi, sot në mandatin e dytë të Qeverisë Berisha”, përfundoi komunikimin me mediat, Ministrja e Integrimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›