E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciko: Pse u ndalua në diktaturë muzika e Rilindjes

Zhani Ciko

“Pena e muziktarëve të Rilindjes”, koncert në TKOB.

E vërteta e interpretimit të “Skënderbeut” të Nolit dhe zbulimi i veprave të panjohura.

“Pena e muziktarëve të Rilindjes”. Kështu titullohet koncerti vokalo-simfonik që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e maestro Zhani Cikos.
Një program i pasur me veprat e para të muzikës serioze në Shqipëri, prej vitit 1881 deri në vitet 1930-1940, që mbajnë autorësinë e kompozitorëve Palok Kurti, Lec Kurti, Frano Ndoja, Mikel Koliqi, Fan Noli, Prenk Jakova etj. Një pjesë e tyre e shpluhurosur nga arkivat e operës apo Arkivit të Shtetit ekzekutohen për herë të parë nga orkestra e TKOB dhe solistët Irini Nikolla, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Erjona Gjyzeli etj. Maestro Ciko tregon për krijimtarinë muzikore të kësaj periudhe, përfaqësuesit kryesorë dhe arsyet pse u lanë në harresë gjatë viteve të komunizmit.
Këto ditë në TKOB vjen një koncert me krijimtarinë e kompozitorëve të Rilindjes. Ç’ofron kjo periudhë?
Gjatë këtyre viteve janë kryer studime lidhur me veprat e së kaluarës, për të cilat ose nuk është folur fare, ose janë mbajtur qëndrime të rezervuara, si gjatë viteve të monizmit, por edhe në periudhën e parë të demokracisë, si rezultat i mungesës së kërkimeve. Duke e studiuar këtë periudhë, rezulton se kemi të bëjmë me një periudhë surprizuese, e cila, e nxitur nga fryma e lëvizjes kombëtare, sidomos pas Lidhjes së Prizrenit, që frymëzoi edhe Rilindjen Kombëtare, u tregua një vëmendje për ta futur muzikën shqiptare në kanalet e asaj europiane. Gradualisht, krahas këngës patriotike shqiptare, filloi kthimi në gjuhën shqipe i ritualeve shqiptare. Kjo filloi në qytetet kryesore, ku krahas shkollës shqipe, nisën të krijohen dhe formacionet e para të thjeshta, të bandave frymore, shoqëritë korale etj. Dhe janë të njëjtët muziktarë që krijuan këto formacione, që u morën dhe me krijimtari muzikore. Nuk është e rastit që Palok Kurti, Frano Ndoja në Shkodër, Thoma Nasi në Amerikë etj., janë krijuesit e parë të veprave që shkruan vetë apo përshtatën me tematikën e kësaj periudhe. Kemi kthimin në shqip të liturgjisë fetare nga Noli apo prelatë të tjerë kryesisht të fesë katolike.
Cilët janë përfaqësuesit më në zë të saj që do të interpretohen në këtë koncert?

Mikel Koliqi

Një ndër ta është Palok Kurti, një muziktar i palodhur, që ka hedhur bazat e muzikës jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por dhe muzikës popullore. Një pjesë e repertorit më brilant të këngës qytetare shkodrane janë krijuar prej tij, si: “Ta dish, ta dish”, “Kenke nuri i bukuris”, “Marshallah bukuris sate” deri te “Për mu paska ken kismet”. Përmendim Martin Gjokën, një nga krijuesit më seriozë, që ka trajtuar tema pikante të historisë së Shqipërisë në vitet e trazuara ’17-’18. “Vo is de fride” është një vepër vokale e tij shumë e ndjetë, mbështetur mbi tekstin e autorit gjerman Shinkler. Thoma Nasi ka një sërë veprash si rapsodi, pjesë instrumentale, këngë të ndryshme, të cilat janë repertori bazë i një jete qytetare të kultivuar në Korçën e viteve ’20. Një nga gjërat më surprizuese është gjetja e një fragmenti të panjohur për ne në Arkivin e Shtetit. Bëhet fjalë për një pjesë të Frano Ndojës, muzikë për dramën e Mihal Gramenos “Vdekja e Pirros”.Një nga pjesët qendrore të krijimtarisë së kësaj periudhe është vepra simfonike “Skënderbeu” e Nolit, të cilën kemi pasur mundësi ta njohim qysh herët.
Një nga kompozitorët interesantë të kësaj periudhe është edhe Lec Kurti…

Lec Kurti

Lec Kurti, një njeri i ditur, diplomat dhe politikan i njohur, rezulton një krijues me një densitet mendimi dhe dramaciteti të mahnitshëm. Një pjesë e krijimtarisë së tij është botuar nën kujdesin e kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe përkujdesin e prof. Sokol Shupos nga mesi i viteve ’90. Ai ka shkruar edhe operën “Arbëreshët”, e cila është e para opera shqiptare, por nuk dihet nëse është ekzekutuar ndonjëherë. Mospërputhja e pikëpamjeve të tij nacionaliste dhe antikomuniste ka bërë që veprat e tij të zhduken, të persekutohen, ashtu si veprat e Mikel Koliqit, të cilat i ruajti për 40 vjet kompozitori Tonin Harapi. Më pas, nën orkestrimin e Gjon Simonit dhe orkestrës së RTSH-së, arritëm të paktën t’i jepnim kënaqësinë autorit në ditët e fundit të jetës së tij t’i dëgjonte të ekzekutuara.
Janë ekzekutuar më parë këto vepra?
Një pjesë e mirë e tyre nuk janë ekzekutuar, duke filluar që nga “Bashkimi i Shqipnisë” e Palok Kurtit, të cilën e kemi transkriptuar për orkestër simfonike në sajë edhe të kontributit të kolegëve të mi si Robert Radoja, të cilit i kemi besuar disa vepra për t’i sjellë në plotësinë e tyre. Janë të panjohura romancat e Lec Kurtit, ose përpunimet e Martin Gjokës me meloditë popullore: “Kenkan mbush malet me dëborë”, “Shqiptarja e gjydetnueme”, një valle të kënduar vajzash, apo “Vo is de fride” e shumë të tjera, që vijnë për herë të parë. Sigurisht, nuk mund të linim pa përmendur një vepër të Prenk Jakovës, një arie, të cilën ai më vonë e përfshin në operën “Mrika”. Por ne e sjellim në versionin e parë, kur kjo bënte pjesë në melodramën “Juda Makabe”, e cila u ndalua dhe shkaktoi edhe burgimin e Prenk Jakovës. Janë vepra të karakterit instrumental, vokal, koral, a kapela dhe të veprave simfonike.
Deri ku shkon kufiri i krijimtarisë së muzikës serioze në Shqipëri?
“Bashkimi i Shqipnisë” është dokumenti më i hershëm, i vitit 1881. Ky është një fakt i ditur, por vepra nuk është ekzekutuar asnjëherë. Ky koncert zhvendos shumë konceptet tona. Për shembull, fragmenti i operës “Arbëreshët” të Lec Kurtit, zhvendos jo datën e ekzekutimit të një opere shqipe, por krijimin e saj nga një autor shqiptar. Cili ka qenë fati i saj, pse ka humbur, cili është versioni origjinal? Kërkon më shumë thellime. Prej këtij koncerti zbulohet edhe prirja europiane e disa artistëve, ku duket lidhja e tyre me kulturat austriake, gjermane, italiane dhe tendenca për të krijuar muzikë shqiptare, mbështetur në tema shqiptare.
Përveç Lec Kurtit e Mikel Koliqit, të ndaluar për motive politike, po pjesa tjetër e krijimtarisë së kësaj periudhe, përse ka mbetur në harresë?

Fan Noli

Do ndalesha në veprat e Nolit, për të cilin jam dëshmitar. Për herë të parë e kemi dëgjuar të interpretuar poemën simfonike “Skënderbeu” në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes. Ekzekutimi është zhvilluar në studion e orkestrës, ku erdhën edhe autoritete të larta të kohës për ta dëgjuar dhe sigurisht për të mos e ekzekutuar më. Sepse kishte xhelozira të brendshme, partiake. Me këtë rast dilte figura e një eruditi dhe një politikani si Fan Noli, që i bënte hije figurës së diktatorit, duke qenë edhe kompozitor. Shumë nga këta autorë nuk mund të shkruanin sipas kanuneve të kohës, si hyjnizimi i një figure. Kujtoj që në janar të vitit 1973, fill pas së cilit, filluan përndjekjet e Plenumit IV, interpretuam veprën “Gaspari i vorfër” të Nolit, të cilin e interpretoi Gaqo Çako. Zgjodhëm atë dhe jo ndonjë tjetër, sepse ajo është shkruar mbi një poezi të Pol Verlenit, sepse në një moment, kur flitet për të varfrit, autori ka cituar motivin e “Internacionales” dhe ky ishte një pretekst që ne e përdorëm për ta ekzekutuar këtë vepër. As që mendohej atëherë të flisje për uverturën bizantine të Nolit, edhe pse e gjithë krijimtaria e tij, edhe ato të liturgjisë fetare është një kontribut i madh për çështjen kombëtare.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›