E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria zbulon Afrikën

Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj të radhës lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me 30 vende të Afrikës dhe Oqeanisë. 

Aristir Lumezi

Vendimi i djeshëm për të vendosur marrëdhënie diplomatike me një numër kaq të madh vendesh njëherazi, tregon se politika e jashtme shqiptare po kërkon aleatë në numër, anëtarë të OKB-së, por dhe të organizatave të rëndësishme politike dhe ekonomike në Afrikë, Oqeani e Azi. Emergjenca e këtij bashkëpunimi të shpejtë, duket se është dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në listën e gjatë të vendeve me të cilat Shqipëria vendos marrëdhënie diplomatike,  ka shtete të njohura si Republika e Ruandës, Republika e Trinidad dhe Tobago, Republika e Gambias, Republika e Liberisë, Timori Lindor, Republika e Çadit, por dhe Shteti i pavarur i Papua Guinea e Re dhe Federata e shteteve të Mikronezisë. Ministria e Jashtme, institucioni i cili ka kërkuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende, argumenton në relacionet e saj se është në interes të Shqipërisë lidhja me këto vende, të cilat janë anëtare të disa organizatave ndërkombëtare. “Republika e Kongos është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Unionit Afrikan, Organizatës së Konferencës Islamike, Organizatës Botërore të Frankofonisë, Bankës Afrikane të Zhvillimit, i Nismës së të Paangazhuarve, G 77 etj. Nisur nga ky fakt është në interesin e vendit tonë që të ketë marrëdhënie me të gjithë vendet anëtare të këtyre organizatave, ku bën pjesë dhe vetë dhe të marrë mbështetjen e tyre sa herë që të jetë e nevojshme”, shprehet Ministria e Jashtme në relacionin që i bashkëngjitet kërkesës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kongos. Por dhe interesi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende anëtare të OKB-së, duket të jetë një tjetër qëllim i kësaj hapjeje të diplomacisë shqiptare drejt këtyre vendeve. “Antigua Barbuda, është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Vendosja e marrëdhënieve me Antigua Barbuda do të ndikojë pozitivisht në funksion të nxitjes së këtij vendi në njohjen e shtetit të ri të Kosovës si shtet sovran e të pavarur”, shprehet Ministria jonë e Jashtme në relacionin që shoqëron kërkesën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Antigua Barbuda. Shqipëria vendos marrëdhënie edhe me shtetin e pavarur të Papua-Guinea e Re, vend anëtar me të drejta të plota në OKB-së, i cili ndodhet në kontinentin aziatik. Në relacionin e saj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë shprehet se si anëtare e Komonuelthit dhe anëtar i organizatave ndërkombëtare, me këtë vend dialogu mund të zhvillohet me sukses brenda këtyre organizatave dhe ndikimit të Britanisë.    
 

Vendet me të cilat lidhen marrëdhëniet diplomatike

Republika e Kiribatit
Republika Palau
Grënada
Republika Trinidad dhe Tobago
Republika e Belizesë
Republika e Gambias
Republika e Swazilendit
Republika e Liberisë
Republika Demokratike të Timorit Lindor
Republika e Çadit
Republika e Ugandës
Republika Vanuatu
Republika e Bashkimit të Komorros
Ishujt Solomon
Republika e Bahamas
Saint Kitts dhe Nevis
Mbretëria e Tongës
Saint Vicent dhe Grenadinë
Republika e Naurusë
Ishujt Tuvalu
Shtetin e pavarur të Samoas
Republikën e Surinamit
Republikën e Ishujve Marshall
Republikën e Ishujve të Fixhit
Saint Lucia
Antigua dhe Barbuda
Republika e Kongos
Shtetin e pavarur Papua Guinea e Re
Republika e Ruandës
Shtetet e Federuara të Mikronezisë

Bush i dërgon letër Lulëzim Bashës

Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush i ka dërguar dje një letër ministrit të Punëve të Jashtme Lulëzim Basha, përmes së cilës e falënderon për mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. “I dashur Lulëzim, takimi me Ju gjatë udhëtimit tim në Kroaci ishte kënaqësi e madhe për mua. Diskutimet tona ishin produktive dhe thelbësore. Unë jam mirënjohës për lidershipin që vendi juaj ka treguar në përparimin e lirisë. Amerikanët e vlerësojnë miqësinë tonë me popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehin falënderimet e tyre Shqipërisë për mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit. Gjithashtu, ne ju dërgojmë përgëzimet tona me rastin e aderimit tuaj në NATO”, thuhet në letrën që presidenti amerikan Bush i ka dërguar Bashës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›