E Diel, 1 Nëntor 2026

Poda, PS ankohet në Kushtetuese

Deputetët socialistë kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin për kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë, Zamir Pode. 

Aristir Lumezi

28 deputetë socialistë dhe të PSD-së kanë firmosur kërkesën e tyre, përmes së cilës i kërkojnë Gjykatës pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit, i cili rrëzoi Poden si anëtarin më të ri të kësaj gjykate, deri në dhënien e vendimit përfundimtar për këtë çështje. Në objektin e saj, kërkesa e deputetëve opozitarë parashtron “interpretimin e pikës 1 të nenit 78 të Kushtetutës për shumicën e kërkuar në marrjen e vendimeve nga Kuvendi, përfshirë dhe dhënien ose jo të pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës dhe, për rrjedhojë, interpretimin e pikës 1 të nenit 55 të rregullores së Kuvendit të dalë në zbatim të tij”. Gjithashtu deputetët e opozitës kërkojnë shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 190, datë 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Zamir Pode si anëtar i Gjykatës së Lartë” dhe vleftësimin e bazuar në Kushtetutë dhe në fakte të rezultatit dhe vendimit të shpallur në seancë plenare, menjëherë pas procesit të votimit nga sekretari i Kuvendit për procedurat dhe votimet për “dhënien e pëlqimit të Kuvendit për emërimin e zotit Zamir Poda si anëtar i Gjykatës së Lartë”. Në argumentimin e tyre, deputetët opozitarë i referohen procedurës së ndjekur nga Kuvendi dhe deklaratës së kryetarit të komisionit të votimit, Arjan Madhi, i cili pasi numëroi votat për Zamir Podën, e shpalli atë fitues me 65 vota, duke marrë në këtë mënyrë dhe pëlqimin e Kuvendit. Por rrëzimi i këtij votimi, sipas tyre, është bërë pas një deklarate publike në media jashtë seancës plenare, vetëm në cilësinë e deputetit të thjeshtë tashmë, pasi funksioni i tij si kryetar i komisionit të votimit kishte përfunduar. Madhi deklaroi pas votimit se Zamir Poda nuk ka marrë pëlqimin e Kuvendit, pasi ai duhej të kishte fituar 66 vota dhe jo 65. Kjo deklaratë jozyrtare e Madhit, sipas deputetëve socialistë, është pasqyruar edhe në procesverbalin e asaj seance, duke e konsideruar këtë deklaratë dhe rezultat zyrtar të votimit të seancës. Deputetët në kërkesën e tyre e konsiderojnë antikushtetues vendimin e Kuvendit, pasi është deformuar përmes deklaratave mediatike, të cilat janë marrë si zyrtare, vullneti i deputetëve të Kuvendit, të cilët me shumicë votash i dhanë pëlqimin Zamir Podës për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë, e drejtë sipas tyre i është hequr atij nga një anëtar i sekretariatit të Kuvendit. Duke bërë interpretimin e shumicës së votave të marra nga kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë, deputetët hedhin poshtë pretendimin e Arjan Madhit dhe të Kuvendit, se fituesi duhet të kishte marrë 66 vota dhe jo 65 sa mori. Opozitarët, nisur nga numri i deputetëve të pranishëm në seancë gjatë votimit, 130, ku vota e dy deputetëve ishte e pavlefshme, 65 pro, 62 kundër dhe 1 abstenim, kërkojnë që numri i votave të llogaritura të mos jetë 130, por 128, aq sa vota të vlefshme kanë qenë në kutinë e votimit. Në këtë mënyrë, sipas tyre, Poda ka marrë më shumë se gjysma e deputetëve, duke marrë kështu dhe pëlqimin zyrtar të Kuvendit.

“Kuvendi më dha pëlqimin zyrtar për në Gjykatën e Lartë”

Kandidati për anëtar në Gjykatën e Lartë, Zamir Poda, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë të tijën përmes së cilës kërkon interpretimin e vendimit të Kuvendit, pas marrjes prej tij të pëlqimit pas një votimi që e nxori fitues. Poda i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues vendimin e Kuvendit nr. 190 të datës 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Zamir Poda si anëtar i Gjykatës së Lartë” dhe vlerësimin si të bazuar në Kushtetutë dhe në fakte të rezultatit dhe vendimit të shpallur në seancë plenare menjëherë pas procesit të votimit nga sekretari i Kuvendit”. Kërkesa dhe argumentimi i kërkesës së juristit Poda është në të njëjtën linjë me atë të 28 deputetëve të opozitës, të cilët njëkohësisht i janë drejtuar me të njëjtin objekt Gjykatës Kushtetuese. “Interpretimi i bërë pas mbylljes së votimit për mosdhënien e pëlqimit për zotin Zamir Poda, bazuar në pikën 1 të nenit 55 të rregullores së Kuvendit është i gabuar, sepse kjo pikë e rregullores është në zbatim të pikës 1 të nenit 78 të Kushtetutës dhe si e tillë nuk mund ta tejkalojë atë”, shprehet juristi i njohur në kërkesën e tij. Juristi e konsideron të rrezikshëm precedentin që Kuvendi, pasi të shpallë në seancë plenare një vendim të tij, pas seancës sekretariati apo një anëtar i tij të vendosë ndryshimin e vendimit të Kuvendit, duke marrë në këtë mënyrë rolin e interpretuesit përfundimtar të rezultatit.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›