E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet koalicioni qeverisës në Kosovë, LDK-ja kundër shkarkimit

Vendimi i kreut të qeverisë shkel marrëveshjen për krijimin e koalicionit

Shkarkimi i zëvendësministrit të Tregtisë, Naser Osmani nga kryeministri Hashim Thaçi, ka shkaktuar reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të kryesuar nga Fatmir Sejdiu, njëkohësisht president i vendit. Kjo parti ka kërcënuar se do të prishë koalicionin qeverisës duke e konsideruar si të ngutshëm vendimin e kreut të qeverisë kosovare i cili me këtë veprim sipas LDK-së ka shkelur marrëveshjen për krijimin e koalicionit. Nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati, ka theksuar se me vendimin e dy ditëve më parë, kryeministri Thaçi e ka shkelur marrëveshjen e koalicionit. “Kryesia e LDK-së vlerëson se vendimi për shkarkimin e z. Osmanit nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi është veprim i ngutshëm dhe shkelje e marrëveshjes së partneritetit qeverisës. Kryesia e LDK-së kërkon që krerët e marrëveshjes së koalicionit të takohen në kohën më të shpejtë të mundshme për ta shqyrtuar këtë rast. Deri atëherë Kryesia e LDK-së e trajton çështjen të pazgjidhur”, - tha Ferati. Nënkryetari i LDK-së theksoi se kryeministri Thaçi, para se ta merrte vendimin e shkarkimit, duhet të konsultohej më parë me partnerët qeverisës. “Duhet të ishin bërë konsulta me partnerët qeverisës dhe normalisht të kishte një bashkëveprim”, tha nënkryetari i LDK-së Fadil Ferati pas takimit të Kryesisë së LDK-së. Ndërkohë, vetë anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani ka paralajmëruar mundësinë e daljes së LDK-së nga koalicioni qeverisës nëse kryeministri nuk e tërheq vendimin e shkarkimit të tij nga detyra. Incidenti i ndodhur në seancën e parlamentit ndërmjet ministrit Limaj dhe zëvendësministrit Osmani, ka shkaktuar krizë në koalicionin qeverisës PDK-LDK. Ndërkaq kryesia e LDK-së, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, dje deklaroi se nuk e pranon vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi, për shkarkimin e zëvendësministrit Naser Osmani. Ndërkaq për situatën e krijuar në politikën e Kosovës, kreu i shtetit Fatmir Sejdiu deklaroi se shkarkimin e zv.ministrit Osmani, kryeministri Thaçi e ka vendosur mbi bazën e dispozitave kushtetuese dhe të asaj pjese që është rregullore mbi organizimin e Qeverisë. Kriza e qeverisë vjen shkarkimit të zëvendës ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Naser Osmani nga kryeministri Thaçi. Osmani në seancën e radhës është drejtuar me fjalë fyese ndaj Ministrit të Transportit, Fatmir Limaj i cili në mungesë të zv.kryeministrit mori fjalën në emër të qeverisë.

Sejdiu: “Ambasadat e para kosovare do të drejtohen nga të ngarkuar me punë”

Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, ka bërë të ditur se Kosova fillimisht do të përfaqësohet nga “të ngarkuarit me punë” në nëntë ambasadat e para. “Do jetë e pamundur që në kuptimin ligjor, të shkohet në emërimin e ambasadorëve, po do të ketë të ngarkuar me punë”,- tha Sejdiu duke iu përgjigjur interesimit të medias. Ai bëri të ditur se përzgjedhja e të ngarkuarve me punë do të bëhet me një konkurs që do të shpallet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Më 18 qershor, pas konsultimeve me kryeministrin Hashim Thaçi, presidenti Sejdiu dekretoi vendosjen e institucioneve diplomatike në Uashington, Londër, Paris, Berlin, Romë, Bruksel, Vjenë, Bernë dhe Tiranë. Ai paralajmëroi se do të marrë vendim për krijimin e misioneve diplomatike edhe në vende të tjera. Ndërkohë, presidenti Sejdiu dje ka marrë një letër nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Karel Shvarcemberg, përmes të cilës bëhet e ditur për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Republikës Çeke dhe Republikës së Kosovës. Shvarcemberg informoi presidentin Sejdiu se detajet lidhur me marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve do të diskutohen në mes të Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve respektive.

Danimarka do t’i dhurojë Kosovës 15 milionë euro në Konferencën e Donatorëve

Shefi i Diplomacisë daneze, Per Stig Moller, ka shprehur se Danimarka, në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, do të dhurojë 15 milionë euro.Kjo ka qenë deklarata e shefit të Diplomacisë daneze, Per Stig Moller, i cili shprehu mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën. Muller theksoi se 15 milionë euro do të jepen për projekte kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Në takimet me presidentin Sejdiu, kryeministrin Thaçi dhe homologun Hyseni, Moller theksoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes së Ahtisarit në të gjithë territorin e Kosovës.
Moller tha se kjo marrëveshje u njeh serbëve kulturën, gjuhën dhe traditën prandaj nuk ka arsye të ketë struktura paralele. Shefi i diplomacisë daneze, Moller ka shprehur perspektivën europiane të Kosovës dhe gjithë rajonit duke dërguar mesazhin që të lihet jashtë e kaluara konfliktuale. Ai gjithashtu bëri të ditur se ndihma e shtetit të tij për Kosovën do të vazhdojë si me praninë ushtarake përmes EULEX-it, po ashtu edhe në planin e zhvillimit të vendit.

Sondazhi, kosovarët kanë më shumë besim te KFOR-i sesa te SHPK-ja

KFOR-i është misioni që ka fituar besimin më të madh të qytetarëve kosovarë, krahasuar me të gjitha misionet e tjera që veprojnë në Kosovë. Në bazë të një sondazhi të OSBE-së, ka rezultuar se kosovarët besojnë më tepër te KFOR-i, sesa tek forcat e Shërbimit Policor të Kosovës, dhe më pak besim tek gjyqësori. Sondazhet thonë se 48 për qind e të pyeturve besojnë se rreziku në Kosovë është mesatar, 19 për qind thonë se rreziku është i ulët, dhe 18 për qind mendojnë se është i lartë. Sondazhi është bërë para se të shpallej pavarësia e Kosovës dhe është publikuar nga OSBE-ja vetëm tani. 5 për qind e qytetarëve thonë se korrupsioni ka potencial të destabilizojë sigurinë e Kosovës, ndërsa puna e organeve të Drejtësisë konsiderohet mjaft e keqe. Mjaft të pyetur thonë se administrata e UNMIK-ut ka dështuar për të krijuar një sistem të fortë gjyqësor. Sondazhi thotë se shqiptarët që jetojnë në Mitrovicë janë të pakënaqur me situatën e sigurisë. Sondazhi u referohet 1900 qytetarëve të Kosovës në dhjetor 2007 dhe rezultatet u botuan ditët e fundit.

Tadiç: “Rikonfigurimi i UNMIK-ut pa lejen e Serbisë dhe të KS-së, nuk është legjitim”

Presidenti serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se çfarëdo veprim për rikonfigurimin e UNMIK-ut pa lejen e Serbisë dhe vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është “jolegjitim”. Deklarata e tij u bë gjatë vizitës në Athinë. Lidhur me këtë çështje, Tadiç tha se do të njoftojë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun dhe ditë më parë ai kishte paraqitur qëndrimin e Serbisë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. “Rikonfigurmi i pranisë civile në Kosovë duhet të jetë me leje të Serbisë, nëse do të respektonim parimet mbi të cilat sot mbështetet komuniteti ndërkombëtar”,-tha për mediat Tadiç. “Parimi nga i cili nuk do të heqim dorë është që të mos njohim kurrfarë pavarësie të Kosovës”,-tha presidenti serb, duke paralajmëruar se përsëri do të zhvillojë sekretarin Ban Ki Mun dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Sipas Tadiçit, qeveria serbe nuk dëshiron që ta shtyjë Serbinë në izolim, por për zgjidhjen e problemit të Kosovës të bisedojë me ndërkombëtarët.

Komisioni Europian: “Kuvendi serb në Kosovë nuk ka bazë ligjore”

Komisioni Europian ka konsideruar se i ashtuquajturi “Kuvendi serb”i Kosovës nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është pa ndikim. duke mbështetur kështu qëndrimin e UNMIK-ut, i cili ka kundërshtuar këto struktura paralele. Deklarata erdhi nga zëdhënësi i Komisionit Europian në emër të eurokomisionarit Oli Ren. Formimin e të ashtuquajturit Kuvend i serbëve të Kosovës e kanë dënuar ashpër edhe institucionet e Kosovës duke e cilësuar atë si krijesë ilegale, e cila nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në proceset politike në vend. Kuvendi i serbëve ne veri të Kosovës është kundërshtuar edhe nga liderët serbë të pjesëve të tjera të Kosovës, si Oliver Ivanoviç, Goran Bogdanoviç e Rada Trajkoviç.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›