“Kështjella e bardhë” e Orhan Pamuk vjen në shqip
Petrika GROSI
Këto ditë ka dalë në qarkullim në libraritë kryesore të vendit “Kështjella e bardhë”, romani i tretë në shqip i nobelistit turk Orhan Pamuk. Lajmin e bën të ditur drejtuesja e shtëpisë botuese “Skanderbeg books”, Flutura Açka, e cila ka dhe të drejtat ekskluzive të botimit në gjuhën shqipe për këtë autor. Sa i përkët botimit të ri, bëhet fjalë për një roman të shkurtër, një dialog i lirë rreth modernizimit dhe ironisë së tij. Rrëfyesi në vepër është një dijetar dhe inxhinier i ri venecian, i rrëmbyer nga turqit gjatë udhëtimit të tij me anije nga Venecia dhe Napoli. Turqit e dërgojnë atë rob në Stamboll, ku i duhet të mbijetojë një jete të re e të panjohur. Është fjala për një ngjarje të vendosur në Stambollin e shek. XVII. Dijetari i ri kthehet shpejt në sklllav i një astrologu të parëndësishëm, i thirrur “Profesor”. Ky i fundit i është përkushtuar ideve mbi shpjegimin e përparësisë së Perandorisë Osmane ndaj Europës, përmes mjeshtërive shkencore e teknologjike, që nisin nga shkencat mjekësore, deri tek ato astronomike. Për këtë, ai do të shfrytëzojë edhe mendjen e ditur të skllavit të tij, duke vendosur me të raporte që shpesh humbasin në kufijtë e njeriut dhe hijes së tij. Veç kësaj, ai ka edhe pamje pothuajse të njëjtë fizike, si edhe po atë moshë të rrëfyesit tonë të paemër evropian. Por pas një aventure të gjatë shpikjesh e dështimesh, suksesesh, adhurimi dhe urrejtjeje të heshtur, Profesori fillon të dyshojë se, përse ai dhe skllavi i tij, të cilët i kanë dhënë aq shumë njëri-tjetrit dhe kanë ndarë aq fshehtësira, të mos mund të këmbejnë edhe identitetet mes tyre. “Kështjella e bardhë” është një triumf i imagjinatës, libër i një nënteksti të fuqishëm, një rrëfim plot laryshi dhe intrigë njerëzore, vazhdim i idesë unikale të Orhan Pamuk mbi ekuilibrin e brishtë të botës mes Lindjes dhe Perëndimit. Botuesja Açka thotë për gazetën “Albania” se “Qysh në krye të prezantimit në shqip, Orhan Pamuk ka qenë një nga autorët më të dashur të lexuesit shqiptar dhe veprat e tij kanë patur një shitje të ndjeshme. Për herë të parë Orhan Pamuk iu prezantua lexuesit tonë në një kohë me marrjen e çmimit Nobel në Letërsi në tetorin e vitit 2006, duke iu dhënë kështu mundësia për ta gjykuar dhe shijuar atë në një kohë me të gjithë lexuesit kudo në botë. Orhan Pamuk është ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore turke, si edhe ndër më të rëndësishmit sot në botë. Vepra e tij është përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe cilësohet një urë e rëndësishme komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit”. Ndër planet e botueses për vjeshtën e këtij viti hyn botimi i një vepre tjetër të Orhan Pamukut siç është “Shtëpia e heshtjes”, ndërsa në pranverën e ardhshme, do të botohet romani i saposhkruar dhe i pabotuar ende në origjinal “Muzeu i pafajësisë”. Shtëpia botuese “Skanderbeg books” do të botojë në shqip në një të ardhme pak më të largët edhe tituj të tjerë të të njëjtit autor si “Jeta e re”, “Stambolli” dhe “Libri i zi”. Veprat e Orhan Pamuk janë përkthyer në shqip nga origjinali nga Drita Çetaku-Turdiu, një përkthyese e talentuar dhe njohëse e letërsisë turke bashkëkohore, veçanërisht e veprës së Orhan Pamuk.
Kritika mbi “Kështjellën e bardhë”
“Ky libër është antidoza për dëshpërimin Lindje-Perëndim”
(The New York Times)
“Ky njeri është i talentuar në mënyrë krejt ekstravagante. Ai është shumë-shumë prodhimtar…”
(The New Republic)
“Kështjella e bardhë” është një meditim elegant dhe i rëndësishëm mbi Lindjen dhe Perëndimin. Nga pikëpamja filozofike dhe historike i thellë dhe i krahasueshëm me shkrimet e Kafkës e të Kalvinos…”
(The Independent)
Festivali
Orkestrat frymore 6 ditë garë në Sarandë
Nga 8-13 korrik 2008, do të zhvillohet në qytetin bregdetar të Sarandës Festivali i Orkestrave Frymore (ALBANIAN WIND BAND FESTIVAL), i cili do të shfaqet si një manifestim artistik dhe shumë popullor gjatë sezonit turistik në mes të sezonit turistik. Orkestrat Frymore pjesmarëse, gjashtë mbrëmje me radhë do të realizojnë parada muzikore dhe koncerte në skenën e Festivalit, e cila do të vendoset në shëtitoren kryesore të Sarandës, për të bërë të mundur përcjelljen e festivalit nga qindra turistë e banorë të qytetit. Në edicionin e tretë të festivalit do të marrin pjesë Orkestra frymore nga vendi e rajoni.
Ky festival synon të ngrihet në një nivel ndërkombëtar duke sjellë edhe një përfaqësim dinjitoz të orkestrave frymore profesioniste që do të marrin pjesë në të. Sipas organizatorëve, veç të tjerash, këtë vit do të realizohet shtrirja dhe jehona e festivalit edhe në qytetet që do të përshkojnë orkestrat frymore, pjesmarëse në garë, gjatë udhëtimit të tyre për në qytetin e Sarandës, duke realizuar kështu parada muzikore në të gjitha këto qytete. Një juri e përbërë nga personalitete të fushës, përveç ndarjes së diplomave për instrumentistë të shquar, do të vlerësojë më të mirat orkestra frymore të bashkive shqiptare.
2 Korrik 2008