E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, zhvillime demokratike dhe rol kontribuues në Ballkan”

02-05-2012 / Gazeta 55

Deputetët Mediu dhe Tahiri takojnë kryetarin e Kongresit amerikan, John Bohener
 
Ministri i Mjedisit, njëkohësisht kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, së bashku me deputetin e PDIU, Dashamir Tahiri, zhvilluan një vizitë pune në Uashington.
Kryetari i Kongresit të SHBA, John Bohener, në takimin e zhvilluar me Mediun dhe Tahirin, vlerësoi zhvillimet demokratike në Shqipëri, rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan. Ai çmoi veçanërisht kontributet konkrete të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, angazhimet e saj në misionet paqeruajtëse, sidomos kontributin e drejtpërdrejtë ushtarak në Afganistan.
Mediu dhe Tahiri morën pjesë në një mëngjes pune me senatorët John Kerry, kryetar i Komisionit të Jashtëm dhe ish- kandidat për President i SHBA-së, liderin e senatit Hary Reid, senatorët Dan Coats, Isakson, Wiker, Hutchinson, Enzi, Klobuchar, Akaka, Coons, Sessions, Inhof, me ftesë të senatorit Pryor.
Në takimet e veçanta me senatorin Jim Inhof dhe Mark Prayor u theksua nevoja e vazhdimit të reformave demokratike në Shqipëri dhe forcimi i institucioneve në shërbim të të drejtave të qytetarëve.
Mediu dhe Tahiri, pasi nënvizuan mbështetjen e qeverisë Amerikane dhe Kongresit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, zhvillimeve demokratike, vunë theksin në qëndrimet programore të partive të tyre, të cilat konsistojnë pikërisht në çështjen kombëtare shqiptare, respektimin e të drejtës së pronës private si një e drejtë themelore e përcaktuar si e tillë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, detyrim ky për shtetin shqiptar dhe çdo vend ballkanik, pjese e BE, apo që pretendon të bëhet pjesë e saj.
Po ashtu ata theksuan nevojën e një reforme zgjedhore të drejte që të garantojë lirinë dhe të drejtën e votës si dhe përfaqësimin e drejtë në parlament.
Po në të njëjtën frymë miqësore dhe mirëkuptimi u zhvilluan takimet me kongresmenët Robert Aderholt dhe Dana Rohrabacher.
Në të gjitha takimet u theksua nga kongresmenët se SHBA mbështesin zhvillimet në Shqipëri, reformat e qeverisë, por njëkohësisht duke kërkuar bashkëpunim të forcave politike për interesat e vendit dhe në mënyrë konkrete të proceseve integruese, të cilat do bëjnë të mundur ndërtimin dhe funksionimin e Institucioneve sipas standardeve demokratike në shërbim të shqiptarëve.
Vizita e Tahirit në SHBA për çështjen çame është e dyta brenda këtij viti.
Deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri vetëm dy muaj më zhvilloi parë një vizitë zyrtare në SHBA, ku u takua me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të Kongresit dhe Senatit Amerikan. Tahiri u prit nga kongresmeni Dana Rohrabacher dhe Frank Wolf. Ai ua bëri me dije kongresmenëve çështjen çame dhe përpjekjet e PDIU-së për një pasqyrim të qartë të kërkesave për njohjen e të drejtave të tyre dhe për të sensibilizuar ndërkombëtarët në këtë çështje.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›