Shqipëria zyrtarisht në rënie ekonomike
Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rënie në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, njoftoi dje Instituti i Statistikave, duke konfirmuar kështu pritshmëritë e të gjithë ekspertëve. “Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2008”, deklaroi INSTAT-i. Kjo është hera e parë që Shqipëria pëson rënie ekonomike tremujore, që kur ky tregues filloi të matej nga Instituti i Statistikave dy vjet më parë. Që nga tremujori i tretë i vitit 2008, ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë është ftohur vazhdimisht duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi, por punët duket se janë përkeqësuar veçanërisht në tremujorin e katërt 2009. Kështu, nga rritja prej 4.1 për qind të shënuar në periudhën korrik-shtator, ekonomia pësoi rënie 0.8 për qind, duke treguar jo vetëm tendencë, por edhe rënie të fortë.
Industria dhe ndërtimiDegët e industrive dhe ndërtimit qenë përgjegjëse për rënien ekonomike të Shqipërisë, ndërsa degët e tjera pësuan rritje, sipas INSTAT-it. Ndërtimi, i cili një vit më parë ishte fryrë nga investimi 820 milionë eurosh në rrugën Rrëshen-Kalimash, pësoi një rënie katastrofike prej 11.8 për qind, sipas shifrave zyrtare. Rritja e fortë e prodhimit të energjisë elektrike dhe e naftës duket se nuk e kompensuan dot rënien në manifakturat rieksportuese si veshjet dhe këpucët, gjë që dha një rënie të përgjithshme vjetore në sektorin e industrisë me 4.1 për qind.
RecesioniTeorikisht, pavarësisht rënies në tremujorin e katërt, Shqipëria nuk mund të klasifikohet ende si ekonomi në recesion, pasi për një klasifikim të tillë nevojitet të shënohet rënie ekonomike në dy-tremujorë radhazi. Megjithatë, perspektiva është e zymtë dhe të gjitha parashikimet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria do të vijojë të vuajë deri nga fundi i këtij viti.
Të dhëna paraprakeINSTAT-i thotë se të dhënat e publikuara dje janë vetëm një vlerësim paraprak. Në të shkuarën, ka ndodhur që nga vlerësimi paraprak deri në vlerësimin e dytë, janë hasur diferenca të konsiderueshme. Megjithatë, është e sigurt që pyetja nëse Shqipëria është në krizë apo jo, tashmë ka marrë përgjigje: Shqipëria është në krizë.
#