Shqipet në aksion
Fillimisht, Afërdita Podvorica e më pas Fatmire Bajramaj e Kosovare Asllani, ishin futbollistet e pakta shqiptare që luanin futboll në klube të ndryshme evropiane viteve të fundit.
Mirëpo, tani në klube të ndryshme evropiane si në Suedi, Zvicër dhe Gjermani kanë filluar të aktivizohen edhe futbolliste tjera shqiptare. Këto talente pritet t’i tregojnë vlerat e tyre dhe shumë shpejt të dalin në skenë sikurse Podvorica, Bajramaj e Asllani.
Gentjana Rochi
E transferuar gjatë kësaj vere nga ekipi maqedonas ZFK Nase Taksi te skuadra nga Bundesliga 2 BV Cloppenburg, Gentjana Rochi ka ecur përpara me hapa të mëdhenj. Sulmuesja nga Struga me vetëm 17 vjet aktivizohet për Kombëtaren A të Maqedonisë, derisa llogaritet si talentja më e madhe në Ballkan. Rochi, e cila vitin e kaluar ishte zgjedhur futbollistja e vitit në Maqedoni, pritet ta udhëheqë skuadrën e Cloppenburg drejt elitës së futbollit gjerman.
Geldona Morina
Talentja 18 vjeçare aktivizohet te skuadra nga Bundesliga, Essen, derisa bën pjesë në kuadrin e zgjeruar të Kombëtares gjermane për femra në kategorinë U-19. Nga mediat gjermane, mesfushorja me prejardhje kosovare llogaritet si futbolliste me të ardhme të ndritur.
Klubi SG Essen-Schönebeck gjatë kësaj vere ia ka marrë rivalit të tij FCR 2001 Duisburg futbollisten Geldona Morina, e cila me këtë klub ka nënshkruar kontratë dyvjeçare që skadon më 30 qershor 2014.
Aferdita Kameraj
Përveç Afërdita Podvoricës dhe Fatmire Bajramajt, karrierë në Gjermani bën edhe futbollistja kosovare Afërdita Kamera. 28 vjeçarja gjatë kësaj vere nga skuadra e Hamburgut është transferuar te ekipi nga Bundesliga 2, BV Cloppenburg.
Sipas miave gjermane, mesfushorja kosovare është transferuar me të vetmin qëllim te skuadra e Cloppenburg, që ta ndihmojë këtë skuadër të ngjitet në elitën e futbollit gjerman në sezonin e ardhshëm.
Shpresa Aradini
Një tjetër futbolliste që pritet të dalë në skenë është edhe Shpresa Aradini. Mesfushorja me prejardhje nga Kosova ka vetëm 18 vjet dhe aktivizohet te skuadra nga elita e futbollit gjerman
FC Gurtersloh.
Emine Ibrahimi
Edhe Emine Ibrahimi aktivizohet në futbollin gjerman. Mbrojtësja 18 vjeçare me prejardhje nga Kosova luan te skuadra e Holstein Kiel, e cila garon në Bundesliga Nord.
Elena Sadiku
Pas Kosovare Asllanit, futbolli suedez ka fituar edhe një talente. Ajo është Elena Sadiku, me prejardhje nga Kosova. Ajo si 17 vjeçare e ka fituar titullin e kampionit të Suedisë me skuadrën LdB Malmo, derisa tani është transferuar te skuadra tjetër suedeze, Kristianstads DFF. Ajo është edhe pjesë e përfaqësueses U19 të Suedisë.
Valbona Mehmeti
Edhe në futbollin zviceran disa futbollsite shqiptare janë pjesë e klubeve të ndryshme nga ky vend. Njëra nga to është edhe kosovarja Valbona Mehmeti. 23 vjeçarja aktivizohet te skuadra e Young Boys.
Jehona Mehmeti
E transferuar gjatë këtij viti nga skuadra e Baselit te Yverdon, Jehona Mehmeti konsiderohet si njëra nga futbollistet më të mira në Zvicër. Me vetëm 21 vjet, mesfushorja shqiptare ka luajtur 33 ndeshje me Kombëtaren A të Zvicrës, derisa ka realizuar edhe tre gola.
Mirnije Selimi
Mirnije Selimi është vetëm 15-vjeçare dhe luan për skuadrën Grasshoppers. Mesfushorja llogaritet si futbolliste me të ardhme, derisa së fundi është paraqitur me Zvicrën në kampionatin botërorin U-20, që po mbahet në Japoni.
Egzona Selimi
Përveç Mirnijes, edhe Egzona Selimi është paraqitur me Zvicrën në kampionatin botërorin U-20 që po mbahet në Japoni. Mesfushorja 18 vjeçare është pjesë e skuadrës së Zurichut dhe llogaritet si talente me të ardhme.