E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferet e kushtueshme

Afati kalimtar i verës është në përfundim e sipër dhe deri tash janë realizuar shumë transferime, prej tyre disa të kushtueshme e disa jo. Përforcimi i fundit i Bayern Munichut, Javi Martinez, që kushtoi 40 milionë euro, u plasua në pozitën e tretë. Renditjes së transfereve më të kushtueshme të verës i prin braziliani Lucas, për të cilin PSG pagoi 45 milionë. I dyti është një tjetër brazilian, Thiago Silva, që i kushtoi gjigantit francez 42 milionë euro.

Afati kalimtar i verës përfundon pas më pak se 48 orësh dhe në dy ditët e fundit nuk pritet të realizohet ndonjë transferim ‘bombë’ ose i kushtueshëm. Prandaj, ueb faqja Yahoo.it e ka publikuar listën e transferimeve më të shtrenjta që u realizuan gjatë kësaj vere.

Për dallim nga vitet e fundit, këtë herë nuk pati transferime më të kushtueshme se 50 milionë euro. Së fundmi, mesfushori spanjoll Javi Martinez iu bashkua Bayern Munichut nga Athletic Bilbao për 40 milionë euro, duke u renditur në pozitën e tretë, të cilën e ndan bashkë me Eden Hazard, i cili për shumën e njëjtë shkoi në Chelsea nga Lille këtë verë.

Gjithashtu Martinez u bë lojtari më i kushtueshëm në histori të kampionatit gjerman të futbollit – Bundesliga. Përpos tij, gjiganti bavarez gjatë kësaj vere e pati një listë të gjatë transferimesh, duke nisur nga Xherdan Shaqiri e më pas Mandzukic, Pizarro, Dante, Weiser e Starke.

Kur jemi te transferimet më të shtrenjta të verës, atëherë listës i prin mesfushori ofanziv brazilian Lucas, për të cilin Paris Saint Germaini ia pagoi Sao Paolos plot 45 milionë euro. Siç dihet, përfaqësuesi brazilian do t’i bashkohet ekipit francez vetëm në janar.

Në vendin e dytë renditet braziliani tjetër, mbrojtësi Thiago Silva. Edhe në këtë transferim, protagonist është gjiganti francez PSG. Ekipi nga kryeqyteti francez ia pagoi Milanit 42 milionë euro për ta bërë të vetin njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë sot. I pesti në renditje është Luka Modric. Mesfushori kroat iu bashkua ditë më parë Real Madridit, i cili për të ia pagoi Tottenhamit 32 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›