100 mijë euro "gjobë" italianit, në pranga dy policë

Tre të akuzuarit i kishin dhënë ultimatum biznesmenit italian deri mëngjesin e sotëm për të paguar shumën e parave
Administratori shqiptar i firmës shantazhoi italianin në bashkëpunim me dy efektivë të burgut të Fushë- Krujës
TIRANË- Policia e Kurbinit arrestoi për llogari të Prokurorisë së Krime të Rënda tre "gjobëvënësit" e biznesmenit italian të përpunimit të lëkurës, pasi i kërkuan 100 mijë euro me pretendimin e mbylljes së një çështjeje penale të kryer po nga vetë të arrestuarit.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të policisë së shtetit dhe zyrtarëve të institucionit të akuzës, të cilët prej tre ditëve po i vëzhgonin të arrestuarit për veprimet e tyre kriminale.
"Nga hetimet paraprake në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, ka rezultuar se një italian me inicialet E.P, me aktivitet në përpunimin e lëkurëve në Qarkun e Lezhës, është bërë objekt i një kërcënimi për të paguar 100 mijë euro nga të arrestuarit Sefer Dervishi, 27 vjeç, administrator i firmës së kallëzuesit, Jetnor Dushaj dhe Ermal Malaj efektivë të policisë së burgut të Fushë-Krujës,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve, Dervishi dhe Dushaj akuzohen për veprat penale të "Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", dhe "Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës" në bashkëpunim. I arrestuari tjetër, Malaj, dyshohet se ka konsumuar vetëm veprën penale të "Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës" në bashkëpunim.
Dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Henrik Ligori, prej disa ditësh, po hetonin çështjen, pas veprimeve të nisura në bashkëpunim me Policinë.
Gjoba
Hetimet nisën, pasi administratori shqiptar i firmës së italianit, që merrej me përpunimin e lëkurës, Sefer Dervishi, kishte organizuar dy punonjësit e policët e burgut, Dushajn dhe Malajn, për vendosjen e një sasie eksplozivi në tarracën e një firme konkurrente në qytetin e Rrogozhinës.
Vendosja e tritolit është bërë më 14 maj të këtij viti, sipas akuzës pa dijeninë e biznesmenit italian. Për fat të mirë, eksplozivi nuk ka shpërthyer dhe është çaktivizuar nga ekspertët xhenierë të Policisë së Shtetit.
Pa kaluar një muaj nga ngjarja, tri ditë më parë, Sefer Dervishi i shoqëruar nga punonjësi i policisë, Dushaj, ky i fundit i veshur me uniformë policie, takuan në hotelin ku qëndronte pronarin e firmës E.P. duke e vënë në dijeni për tritolin e vendosur. Administratori Dervishi i tregoi pronarit italian të firmës, se policia, po e hetonte për vendosjen e tritolit firmës konkurente në qytetin e Kavajës.
"Ata mendojnë se e ke vendosur ti dhe për ta mbyllur çështjen duhet t'iu paguash 100 mijë euro tek ky punonjës policie dhe ky e mbyll vetë me kolegët e tij, mësohet të ketë deklaruar, biznesmeni italian në kallëzimin e tij. I shokuar nga kjo ngjarje, nga frika e arrestimit, italiani pranoi ofertën e administratorit të tij Dervishi dhe policit Dushaj dhe të nesërmen (mërkurën, dje) të paguante paratë.
Pas ndarjes nga dy "gjobëvënësit", biznesmeni i huaj, lajmëroi Policinë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë së Krimeve të Rënda kryen veprimet e para hetimore. Ndërsa mëngjesin e të martës, u arrestuan edhe tre personat në momentin e paraqitjes së tyre në hotelin ku qëndronte italiani, për të tërhequr paratë e kërkuara.
Të arrestuarit
Sefer Dervishi, 27 vjeç nga Mamurrasi, administrator i firmës së kallëzuesit me inicialet E.P, i akuzuar për "Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", dhe "Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës" në bashkëpunim.
Jetnor Dushaj, 24 vjeç, nga Tropoja, banues në Fushë-Krujë, punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës, i akuzuar për "Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", dhe "Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës" në bashkëpunim.
Ermal Malaj, 31 vjeç, nga Tropoja banues në Kodër Kamëz, Tiranë, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës", në bashkëpunim.