Shqiptarët besojnë
79% mendojnë për fitore, vetëm 7% e shqiptarëve mendojnë humbjen
Ndeshja me Norvegjinë ndoshta është një nga më të rëndësishmet në historinë e kombëtares dhe shqiptarët besojnë tek fitorja. Atmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë e presin me padurim këtë sfidë që do të përcaktojë fatet e ekipit kuqezi. Sondazhi i bërë në faqen online të gazetës Gazeta e Sportit tregojnë se tifozët besojnë tek ekipi dhe kërkojnë vetëm fitoren.
Afro 80% e votuesve mendojnë se kombëtarja do të fitojë. Ata mendojnë se djemtë e De Biazit mund të përsërisin ndeshjen e madhe të Oslos, kur u kthyen si heronj. Disa të tjerë janë të kënaqur edhe me barazimin, ose mundohen të jenë më objektivë dhe mendojnë se ndeshja do të përfundojë në barazim.
Nuk janë shumë, por 14% e votuesve që mendojnë se rezultati do të jetë X, siç quhet në gjuhën e basteve. Ka edhe nga ata që janë shumë skeptikë dhe mendojnë se Norvegjia do të largohet me fitore nga Qemal Stafa. Janë vetëm 7% e votuesve. Ndoshta e bëjnë edhe për të prishur syrin e keq. Besimi është shumë i madh dhe kjo vërehet kudo. Në çdo moment dëgjohen biseda tek sa prekin çështjen e kombëtares.
Dikush interesohet për bileta, dikush thotë se po jetojmë një ëndërr dhe do të bëjmë mirë të kemi besim tek djemtë tanë. Nuk ka aspak rëndësi sa do të jetë rezultati, nuk ka rëndësi as kush shënon, rëndësi ka të fitojnë. Atmosfera është e jashtëzakonshme, në çdo cep të kryeqytetit tifozët po organizohen më së miri dhe po përgatitin festën.
Vëmendje shumë e veçantë i është dhënë sfidës edhe në rrjetet sociale, sidomos në facebook. Në fotot e profileve të tifozëve, por jo vetëm ka foto kuqezi, ka statuse dhe slogane të cilat tregojnë dëshirën dhe besimin e madh. Ka edhe nga ata që qëndrojnë me këmbë në tokë dhe mendojnë se një barazim do të ishte shumë i mirë për ecurinë e kombëtares.
FOTOLAJM
Edhe Baloteli bën tifo për Shqipërinë
Në rrjetin social facebook qarkullon një foto në të cilën sulmuesi i Milanit, Mario Baloteli mban veshur fanellën e kombëtares shqiptare. Një tifoz special për djemtë e De Biazit.
