Alban Meha: Ndaj Norvegjisë 50 me 50
Mesfuhsori që do të mungojë në sfidën ndaj Norvegjisë thekson se duhet kujdes, pasi nordikët do të luajnë ndryshe në Qemal Stafa
Shqipëria do të luajë ndaj Norvegjisë më 7 qershor në Tiranë, një ndeshje shumë të vështirë dhe tepër të rëndësishme për fatet e saj në këto eliminatore. Në këtë përballje, Shqipëria do të luajë pa shërbimet e disa lojtarëve të formacionit bazë, kjo për arsye kartonësh dhe dëmtimet.
Një nga lojtarët që do të mungojë në këtë sfidë është dhe mesfushori i Paderbornit, Alban Meha, i cili do të mungojë në këtë sfidë për shkak të një dëmtimi. Mesfushori nuk nguron të japë opinionin e tij në lidhje me ndeshjen e radhës, ku shprehet optimist, por edhe i kujdesshëm për mundësitë që ka skuadra në këtë përballje.
Mendoj se mundësitë do të jenë të barabarta në këtë sfidë. Në këtë ndeshje nuk mendoj se ka favoritë, ku mendoj se mundësitë janë 50 me 50, kjo për shumë arsye. Duhet të kemi kujdes në këtë përballje, pasi nordikët nuk besoj se do të luajnë si në takimin e parë, pasi tashmë ata vijnë me synime për të marrë maksimumin, tha Meha.
Mesfushori shprehu besimin e tij se kombëtarja ka lojtarët e duhur që do mund ta zëvendësojnë rolin e tij në këtë sfidë. Kombëtarja shqiptare ka lojtarë shumë të mirë në përbërje, të cilët besoj se do të japin maksimumin në këtë sfidë kaq të rëndësishme për fatet tona kualifikuese, tha Meha.
Lojtari ka pësuar një dëmtim në kavilje, e cila ka kërkuar kohën e duhur për tu rikuperuar. Mesfushori ka krijuar një fizionomi të veçantë në lojën e skuadrës, ku i ka dhënë më shumë frymëmarrje fazës organizuese. Mungesa e tij në këtë sfidë përbën një pikëpyetje për De Biazin, në lidhje me lojtarin që do ta zëvendësoje.
Gjatë stërvitjeve të fundit në kompleksin Tropikal, trajneri i skuadrës ka provuar disa lojtarë në këtë rol, ku së fundi ka provuar dhe Gjasulën, i cili ka dhënë rezultate pozitive në këtë rol. Mesa duket, De Biazi kërkon tia besojë mesfushën, pikërisht lojtarëve që luajnë në Gjermani, ku pas Mehës, tashmë duket se është Gjasula zëvendësi i tij.
Gjithsesi, kjo mbetet për tu parë nga taktika që do të përzgjedhë italiani në këtë sfidë. Edhe pse mungon në këtë sfidë, Meha njehet entuziast për sfidën e radhës me nordikët, ku shpreson që Shqipëria të arrijë një tri pikësh të rëndësishëm përballë kundërshtarëve direkt. Shqipëria ka luajtur ndeshje shumë të mira në këto eliminatore dhe diçka të tillë duhet ta vazhdojë edhe ndaj Norvegjisë.
Ajo që dua të theksoj është fakti se duhet një përqendrim maksimal ndaj një kundërshtari që mendohet se do të jetë shumë kërkues në këtë sfidë. Shpresoj që kombëtarja të na gëzojë të gjithëve më 7 qershor, nënvizoi Meha. Lojtarët e kombëtares shqiptare do të vijojnë sot seancën e radhës stërvitore nën drejtimin e trajnerin, Xhani De Biazi.
