Vijon risia De Biazi, afrohen katër të rinj
Skuadra shqiptare do të ketë në gjirin e saj dhe katër lojtarë që do të luajnë për herë të parë. Abrashi, Kaçe, I. Berisha dhe V. Basha do të luajnë për herë të parë për kuqezinjtë
Lista e kombëtares shqiptare u plotësua dje futbollistë të tjerë të publikuar nga De Biazi. Në këtë listë bien në sy emrat e rinj që janë ftuar për herë të parë në kombëtare. Bëhet fjalë për Kaçen, Abrashin, Bashën dhe Berishën, të cilët do të veshin për herë të parë fanellën e skuadrës së Shqipërisë. Lojtarët në fjalë janë pajisur më 25 Maj me pasaportë shqiptare dhe tashmë janë të gatshëm për të mbrojtur ngjyrat e kombëtares shqiptare.
Katër afrimet e reja
Ergys Kaçe luan me Paokun në kampionatin e Greqisë. Lojtari luan në rolin e mesfushorit të tërhequr te skuadra e tij aktuale. Një lojtar tjetër që është ftuar për herë të parë në kombëtare është dhe mbrojtësi. Ilir Berisha, i cili luan me Orebro në Suedi. Lojtari 21-vjeçar ka qenë pjesë e skuadrës së Prishtinës ne sezonin 2010-2012 dhe më pas kaloi te skuadra suedeze.
Armir Abrashi është lojtari tjetër, prurje e re e De Biazit në kombëtare. Mesfushori ka luajtur me të gjitha kombëtaret zinxhir të Zvicrës, por tashmë ai ka vendosur që të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Abrashi është lojtar i Grashopers në Superligën Zvicerane. Nga kampionati zviceran është ftuar dhe Vullnet Basha, i cili ka përzgjedhur për të mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë. Mesfushori 22-vjeçar i Sionit në Zvicër është një nga lojtarët e rinj të skuadrës së kombëtares ndaj Norvegjisë.
Nuk mungon Salihi
Në listën prej tetë lojtarësh bëjnë pjesë dhe lojtarët e tjerë si Rama, Salihi, Vila, Hysaj, të cilët formojnë listën prej 26 lojtarësh të kombëtares shqiptare. Në listë nuk ka munguar as shënuesi i golit të fitores së Oslos, Hamdi Salihi. Në kombëtare është ftuar dhe Hysaj, i cili luan me Empolin në Itali, ku dje ka zhvilluar dhe ndeshjen e dytë të Play-Off-it për tu ngjitur në Serinë A.
Mesfushori me tipare sulmuese, Emiljano Vila, ka qenë preferenca e trajnerit italian në listën e dytë. Lojtari 25-vjeçar që luan me PAS Janina në Greqi ka lzhvilluar dje ndeshjen e fundit për kualifikimet në kupën e kampioneve në duel me Kaçen e PAOK-ut.
Në këtë listë bie në sy lënia jashtë e Armando Sadikut, i cili shënoi dje dy gola për Luganon në kampionatin zviceran në kategorinë e dytë. Lojtarët e listës së dytë i bashkëngjiten 18 lojtarëve të shpallur më parë nga De Biazi, duke e dërguar në 26 lojtarë organikën e kombëtares për sfidën me Norvegjinë.
Gjashtë lojtarë luajnë për herë të parë ndaj nordikëve
Ndaj Norvegjisë janë afruar gjashtë lojtarë të rinj nga De Biazi, i cili nuk ka nguruar të afrojë elementët e rinj. Në listën e parë prej 18 lojtarësh, në listë bënin pjesë dy lojtarë të rinj, Llullaku dhe Gjasula. Ky i fundit është provuar në rolin e regjisorit në stërvitjet e fundit nga De Biazi, por ende nuk është përcaktuar asgjë në lidhje se cili do ta zëvendësojë mungesën e Mehës.