E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, do të konsumojnë më pak më 2009

Mesatarisht çdo vit, që prej 2006-s, konsumi në Shqipëri rritej me rreth 6.2 për qind, por për këtë vit skenarët flasin për një rënie drastike. Kriza ekonomike, e shoqëruar nga paniku do të ndikojë te konsumatorët shqiptarë që të jenë më të kursyer në kryerjen e shpenzimeve. Parashikimet e Ministrisë së Financës tregojnë se konsumi total për vitin 2009 do të rritet me rreth 1.1 për qind, në një kohë që dy vjet më parë ishte rreth 7.8 për qind. Gjatë këtij viti pritet të konsumohen rreth 997 miliardë lekë mallra dhe shërbime, rreth 350 miliardë më shumë se një vit më parë, por me një rritje më të ulët se periudhat e kaluara. Edhe për vitin 2010, ekspertët e ministrisë parashikojnë një rritje të konsumit më të maturuar se vitet e tjera, rreth 3.8 për qind.

Konsumi final, për periudhën afatmesme në vijim, 2009-2012 parashikohet të rritet me terma realë me një ritëm mesatar prej rreth 4.9 për qind. Nga ky ritëm bën përjashtim viti 2009, vit në të cilin është parashikuar një rritje prej rreth 1.1 për qind e konsumit final. "Ky ritëm më i ulët rritjeje për vitin 2009 është rrjedhojë e marrjes në konsideratë të efekteve që mund të ketë kriza globale në disa variabla kyçë në përcaktimin e konsumit final, e sidomos në konsumin e familjeve", thekson Ministria e Financave. Ekspertët japin dy argumente për këtë tregues: e para, pritshmërinë jo optimiste të konsumatorëve, dhe e dyta, një reduktim i mundshëm në të ardhurat e disponueshme të një pjese të konsiderueshme të familjeve, të ardhurat e të cilave varen së tepërmi nga dërgesat e emigrantëve (remitancat). Për Ministrinë, parashikohet një nivel më i vogël i të ardhurave nga emigrantët, të paktën deri në 350 milionë dollarë, krahasuar me vitin 2008.

Në fillim u mendua se nga kriza ekonomike do të kishin edhe efekte pozitive, siç është ulja e çmimeve, si pasojë e reduktimit të kërkesës, por nga ana tjetër, për Shqipërinë, familjet nuk do të mund të përfitojnë aq shumë si pasojë e shkaqeve që lidhen me emigrantët, bankat dhe të ardhurën nga puna. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave për "konsumin final", i përkasin kuadrit makro-fiskal 2009-2012, të rishikuar me vendim qeverie në muajin prill dhe të cilat i referohen më së shumti Institutit të Statistikave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›