Zbuloni Shqipërinë
Shqipëria historike dhe kulturore prezantohet në Torino. Prej disa ditësh, një ekspozitë fotografike është çelur në këtë qytet e do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik. Është një ndërmarrje e disa shoqatave shqiptare dhe italiane që veprojnë në këtë vend, për ta sjellë më afër Shqipërinë, përmes rrëfimeve dhe imazheve të ekspozuara, në popullin fqinj. Italianët i njohën vonë shqiptarët, e kryesisht prej emigracionit. Ndërsa këto shoqata kërkojnë ta prezantojnë këtë vend me gjithë pasurinë e tij kulturore, traditat dhe historinë. E kuruar nga Chiara Minutella, Andi Doda dhe Fabio Boni, një kontribut për realizimin e këtij prezantimi kanë dhënë Irakli Koçollari dhe fotografi Roland Tasho. Në 37 stenda të ekspozitës është bërë një ilustrim i historisë shqiptare të 800-ës, periudha e sundimit osman, duke kaluar në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, duke mbërritur në vitet ‘90, kur Shqipëria përqafoi demokracinë. Si pjesë e këtij aktiviteti janë mbajtur edhe diskutime mbi emigrimin dhe integrimin. Ky ka qenë një moment reflektimi dhe debati, por edhe një dialogu ndërkulturor i hapur për të gjithë qytetarët, mes dy vendeve shumë të afërt gjeografikisht dhe njëkohësisht të largët për shkak të izolimit.