"Vit pas viti" me Viktor Gjikën
Teksa kanë vetëm pak minuta që kanë marrë në dorë librin, shfletojnë se mos gjëkundi e hasin veten si protagonist të ndonjë episodi. Janë aktorë e regjisorë, miq e kolegë me të cilët Viktor Gjika ka ndarë momente të caktuara të jetës. Dje, pa bujë, ishin mbledhur në hollin e Teatrit të Operës për ta kujtuar kolegun e tyre. Promovimi i librit-ditar "Vit pas Viti" i kishte sjellë aty. Regjisori i njohur i ka hedhur në fletë kujtimet, në një libër të promovuar dje, të cilin nuk arriti ta shihte në gjallje. E pati lënë amanet. Tashmë i përfunduar nga Teodor Laço dhe i botuar nga "Toena" u ka shkuar si dhuratë kolegëve. Janë kujtime që nisin nga fëmijëria, ditët e rinisë së Korçës, koha e studimeve në Rusi, kthimi në Tiranë, e një jetë e tërë në sheshet e xhirimit. "Një libër i Viktorit e për Viktorin" e ka quajtur Laço këtë botim, duke iu referuar shënimeve që miq e kolegë të Gjikës kanë shënuar në fund të librit. Ndërsa regjisori Dhimitër Anagnosti ka kujtuar edhe një herë udhëtimin si studentë drejt shtetit të panjohur, ngjarje që edhe vet Gjika i ka përshkruar në kujtime. "Një ditë i thashë Viktorit se pse nuk i shkruante kujtimet, t‘i hidhte natyrshëm. Ditë më vonë, kur komunikuam sërish, më tha që kishte nisur. Bisedimi ynë qe i shpeshtë për të kujtuar dhe saktësuar ngjarje të caktuara", thotë Anagnosti. Një pjesë e mirë e kujtimeve i kushtohen realizimit të shumë filmave në Kinostudio, ku Gjika i përshkruan çdo herë me detaje. Por nuk harron t‘i kushtojë dedikime edhe bashkëshortes së tij, Florës, e cila i ka qëndruar në krah gjatë viteve të shumta të punës.
Viktor Gjika u nda nga jeta më 4 mars 2009, në moshën 71-vjeçare. Ai do të kujtohet si një regjisor me një karrierë të gjatë në fushën e kinematografisë. Është autor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Gjeneral gramafoni", "Nëntori i dytë", "Njeriu me top", etj.