Inva Mula dhe Ermonela Jaho, Sopranot ulin siparet e Francës
Në këtë fundsezoni artistik, emrat e dy sopranove të njohura shqiptare lakohen suksesshëm në realizime të rëndësishme botërore. Inva Mula dhe Ermonela Jaho, këto ditë gjenden në skenat franceze. Të dyja, të angazhuara në produksione të mëdha, që do të ulin edhe siparin e operave përkatëse. Inva Mula, në rolin e Margaritës në operën "Faust", ka shënuar mbrëmë shfaqjen e fundit në teatrin Kapitol të Tuluzës. Kritika franceze e ka përshkruar me nota të larta vlerësimi interpretimin e sopranos. Kjo nuk është hera e parë që sopranoja shqiptare ngjitet në skenë me këtë rol. Rasti i fundit ka qenë në verën e 2008-ës. "Inva Mula është një Margaritë që na ka gëzuar edhe në teatrin roman të Orange-t. Mjeshtëria e saj vokale mbetet magjepsëse sidomos në linjën e plotë që i jep këtij personazhi. E mësuar me personazhin e saj nga nota e parë në të fundit, ajo këndon në mënyrë mjaft natyrale", shprehen kritikët francezë të muzikës. "Faust", opera me pesë akte e Charles Gounod, mbështetur mbi veprën e Gëtes, me libret francez, është vënë në skenë nga regjisori francez, Nicolas Joel, për të cilin kjo shfaqje shënon edhe largimin nga teatri i Tuluzës, pasi e ka drejtuar për shumë vite. Kjo është vënia e dytë e Joel, i cili e ka përpunuar këtë vepër duke e vënë kryesisht theksin në dashurinë tragjike të Faustit e Margaritës. Subjekti i njohur tashmë, një Faust që tenton të vrasë veten, një Mefistofel që i ofron zgjidhje në këmbim të shpirtit dhe një histori dashurie me Margaritën. Edhe në vitin 2008, Mula ka interpretuar Margaritën e konturuar nga Joel, por në krah të saj kanë qëndruar të tjerë artistë. Në skenën e Tuluzës, sopranoja shqiptare ka interpretuar me tenorin italian Giuseppe Filianoti në rolin e Faustit dhe basin bullgar, Orlin Anastassov në rolin e Mefistofelit. "As këtyre dy artistëve nuk u mungojnë cilësitë vokale", shkruhet në artikujt e gazetave franceze. Inva Mula, e cila edhe më parë ka marrë vlerësime në skenat franceze, ka një sërë realizimesh të tjera të programuara në vazhdim në skenat e huaja. Në Tiranë është kthyer më së shumti për realizime private, që nuk kanë bërë pjesë në kalendarin e Teatrit tonë të Operës. Një tjetër soprano shqiptare, emri i së cilës përmendet gjithnjë e më shumë në vepra të mëdha operistike, është Ermonela Jaho. Më datën 3 dhe 7 korrik, ajo ngjitet në skenën e teatrit të Operës së Lionit në rolin e Violetës. "Traviata" e Verdit mbyll sezonin artistik në këtë institucion. Opera vjen si homazh ndaj regjisorit me origjinë gjermane, Klaus Michael Grüber, i cili vdiq më 22 qershor të vitit 2008, në moshën 67-vjeçare. Për Jahon kjo është e disata herë që hyn nën lëkurën e Violetës, e sjellë ndryshe nga regjisorët me të cilët ka punuar. E "zhytur" thellësisht në historinë e pamundur të dashurisë mes Alfredos dhe Violetës, e cila shuhet në shtratin e vdekjes pas sëmundjes së rëndë të turbekulozit, sopranoja shqiptare ka provuar të jetë një Violetë sa klasike aq edhe moderne. Në këtë interpretim të fundit, gazeta "Le Monde", artikullin kushtuar operës e titullon "Ermonela Jaho, një Violetë magnetike e Traviatës".
Ndërsa në shkrim thuhet se "sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ende nuk është shumë e njohur për publikun e gjerë. Në vitin 2005, premiera e saj me Traviatën në Operës e Marsejës paralajmëroi triumfin e vitit 2008 në Covent Garden të Londrës, ku në janar të 2008-ës ajo zëvendësoi sopranon Anna Netrebko për probleme shëndetësore. Një prezencë magnetike dhe një zë i bukur, sopranoja e re ka realizuar një Violetë që rri mirë në çdo aspekt". Në krah të saj, në personazhin e Alfredos interpreton tenori lituanez, Edgaras Montvidas, dhe në rolin e Germont, Lionel Lhote. Deri më tani, Jaho e ka ngjitur këtë rol në skena të rëndësishme të botës si Scala, Berlin, Covent Garden, Paris, Matropolitan, por edhe në Tiranë. Në intervistat e saj, Jaho ka pohuar shpesh se "Traviata" është një nga operat e saj më të dashura, madje ishte kjo nxitja për t‘i hyrë rrugës së sopranos. "Traviata ka qenë opera e parë që kam parë në teatër në jetën time dhe momenti në të cilin vendosa të ardhmen. Muzika më goditi në zemër ashtu si dashuria me shikim të parë… Dhe në atë moment thura ëndrrën time, e cila u kurorëzua duke e kënduar në të gjithë teatrot në botë", ka treguar më parë sopranoja shqiptare, e cila u largua nga Teatri i Operës si shumë artistë të tjerë, në kërkim të një karriere dhe një suksesi në skena të ndryshme të botës. Mula tashmë e ka ngjitur emrin e saj në piedestalin e emrave të rrallë edhe nga bashkëpunimet me emrat më të mëdhenj të interpretimeve klasike, e në të njëjtën rrugë po ecën edhe Jaho, e cila ka një kalendar të mbushur me produksione të mëdha.