Wesley Clark, në Muzeun e Kosovës
Objekte që u përkasin funksionarëve të lartë amerikanë në çastet kur kanë marrë vendime të rëndësishme për Kosovën, do të ekspozohen në një muze. Projekti është quajtur "Amerika për Kosovën" dhe do të përfshijë me qindra dokumente që pasqyrojnë kontributin e emigrantëve shqiptarë dhe SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sipas gazetës kosovare "Express", tashmë në Muzeun e Kosovës ka ardhur uniforma e gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark që mbante të veshur kur shtypi butonin për fillimin e sulmeve kundër Serbisë, stilolapsi i Franc Wisner, xhaketa e njohur e ambasadorit William Walker, çanta e Bob Tahirit. Clark ia ka dorëzuar uniformën e tij një delegacioni kosovar, i cili ka qëndruar në zyrat e ambasadës së Kosovës në SHBA. Ky delegacion, i përbërë nga Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, Fitim Krasniqi, sekretar permanent i zyrës së Kryeministrisë së Republikës së Kosovës, Naim Dedushaj, drejtor i zyrës për Çështje Jorezidente dhe Riza Sadiku, këshilltar profesional në Muzeun e Kosovës, kanë nisur mbledhjen e objekteve. "Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i koleksionit sa më parë të jetë e mundur, sepse më vonë, objekte të tilla mund edhe të zhduken", ka thënë drejtori i muzeut. Faza e ardhshme e zbatimit të ekspozitës "Amerika për Kosovën" ka të bëjë me sigurimin edhe të eksponateve të personaliteteve amerikane më me peshë për çështjen e Kosovës, Presidentin Klinton, ish-sekretaren e Shtetit, Medllin Ollbrajt, dhe ambasadorin Riçard Hollbruk, me të cilët krijimi i koleksionit bazë do të përmbyllet.