"Legjenda e pianistit" shkon në Beograd
Dritan Boriçi, në rolin e aktorit dhe regjisorit, prezantohet në festivalin e Beogradit me monodramën "Legjenda e pianistit". Ky ishte interpretimi i parë në gjininë e monodramës për aktorin, pjesë e cila fillimisht është ngjitur në Teatrin Kombëtar. "Legjenda e pianistit, vepra e shkrimtarit Alessandro Bariço, e kthyer edhe në film, është ndër veprat më të mira të këtij autori italian. I shoqëruar nga Gent Rushi në interpretimin në piano, për rreth një orë e 20 minuta, Boriçi ka interpretuar i vetëm në skenë. "Ishte një sfidë për mua. Si suksesi si dështimi do të binin mbi mua si person", është shprehur më parë Boriçi. Kjo vepër u vlerësua me çmimin special të festivalit ndërkombëtar të monodramës "Monoaakt", realizuar në Kosovë. Ndërkohë që me këtë pjesë Boriçi është prezantuar edhe në festivalin "Albmonodrama" të Korçës e në të tjera organizime. "Ajo që unë kam ndier te kjo vepër ka qenë ajo çfarë Bariço ka shkruar. Një dashuri e madhe e artistit për artin e vet. Artisti nuk mund të flasë me asnjë gjuhë tjetër përveçse me gjuhën e artit. Dhe "900" filmi i famshëm i Xhuzepe Tornatores, i cili më parë ka qenë monodramë, bën fjalë për një artist të xhazit, i cili sakrifikohet së bashku me anijen. Ai nuk del nga anija, sepse mendonte që vetëm aty mund të bënte muzikën e vet. Për atë nuk kishte rëndësi as paraja, por vetëm arti", ka theksuar më parë Boriçi.