E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët do të zhvillojnë fushatë modeste

Shkup - Duket se zgjedhjet e 22 Marsit në Maqedoni do të kalojnë në frymë bashkëpunimi midis forcave politike shqiptare në këtë vend. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mirëpritur propozimin e liderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi që partitë shqiptare të mos bëjnë fushatë bombastike me flamuj nëpër shtylla elektrike dhe pa shumë materiale zgjedhore me qëllim që të ketë fushatë të qetë. Sipas nënkryetarit të BDI-së, Rafiz Haliti, ideja është e mëse e pranueshme për të, por qëndrimi i partisë lidhur më çështjen në fjalë do të merret nga kryesia. “Fushata jonë do të jetë modeste dhe pa shpenzime të tepërta. Do të përpiqemi të bindim qytetarët që të votojnë për BDI-në pa shkaktuar incidente dhe problem parazgjedhore”, ka thënë Haliti.

Nga ana tjetëri partia Demokracia e re ka bërë të ditur se do të dalë e vetme në zgjedhje dhe gjithçka do ta vetëorganizojë. Zëdhënësi i kësaj partie është shprehur se “Ne nuk përzihemi se si do të zhvillohet fushata politike e partive përderisa fushata të zhvillohet në mënyrë të qetë demokratike dhe pa incidente zgjedhore. Shtabi zgjedhor i DR-së së shpejti do të dalë me strategji për atë se si do të shkohet në zgjedhjet lokale dhe presidenciale”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›