Shqiptarët e Maqedonisë nderojnë Topin
Nga Tetova, Blerand Rexhepi
Qindra qytetarë shqiptarë të Tetovës dolën në rrugët kryesore të qytetit, ku pritën Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi. Me hare e dashamirësi, ata i uruan mirëseardhjen kreut të shtetit shqiptar në qytetin kryesor të shqiptarëve të Maqedonisë. Presidenti Bamir Topi, në ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni, u shpreh i impresionuar nga pritja që i bënë qytetarët e Tetovës, duke e cilësuar si "shumë të ngrohtë dhe vëllazërore". Kryetari i Shtetit vuri në dukje se shteti shqiptar është tepër i vëmendshëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni e kudo ndodhen dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë të bëjnë me jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e tyre për zhvillim. Presidentin e priti Kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, i cili e falënderoi për kontributin e tij. Më pas, një pritje e veçantë u rezervua për kreun e shtetit shqiptar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku ai u nderua me titullin "Dr. Honoris Causa". Me motivacionin: "Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike". Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Agron Reka i dorëzoi titullin Presidentit shqiptar. Delegacioni, i udhëhequr nga Presidenti Topi, vizitoi edhe komunën e Dibrës, ku ai u nderuar me titullin "Qytetar Nderi". Presidenti Topi shprehu respektin e tij të thellë për jetën akademike, universitare, për profesorët dhe stafet akademike që mbartin mbi vete misionin tepër fisnik të edukimit të brezave të aftë profesionalisht, por edhe me vlera e virtyte të larta humane. Në qytetin e Tetovës, policia e qytetit kishte bllokuar rrugët kryesore që në orët e para të mëngjesit, nga do të kalonte eskorta presidenciale e udhëhequr nga Presidenti, Bamir Topi. Vizita e Presidentit shqiptar në këtë qytet u shoqërua nga një prani e madhe e forcave të rendit. Pas vizitës që bëri në Universitetin Shtetëror të Tetovës, eskorta presidenciale e përbërë nga mbi 25 vetura, të shoqëruara nga autoambulanca dhe zjarrfikës, janë nisur drejt selisë së komunitetit bektashian "Arabati Baba Teqe", ndërkohë vizitoi edhe "Xhaminë e Larme" në Tetovë.
Turizmi
Presidenti Topi dhe ai maqedonas, Ivanov, morën pjesë në Forumin Ekonomik të Biznesit maqedonas-shqiptar, nga ku Topi theksoi se ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik. Duke vënë në dukje resurset e rralla natyrore që kanë dy vendet tona, Topi u shpreh se ne duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm në hartimin e strategjive që do të mundësonin zhvillimin e turizmit.