E Diel, 1 Nëntor 2026

Komitet në Parlamentin Evropian për përshpejtimin e liberalizimit të vizave



Kryeministri Sali Berisha mbylli vizitën zyrtare në Bruksel, nga ko mori garancinë për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave me qytetarët shqiptarë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e Parlamentit Evropian, Busek, Berisha u informua që nga data 21 prill do të nisë funksionimin një nënkomitet të veçantë në PE për Shqipërinë. "Ajo që është e rëndësishme, siç e shpjegoi Kryeministri para pak minutash, kanë avancuar shumë në dixhitalizimin e procedurave administrative, kështu që është shumë më e lehtë të vazhdohet me liberalizimin e vizave, është më e thjeshtë të kontrollohen shumë gjëra. Unë mendoj se ne do të bëjmë gjithçka, veçanërisht në nënkomitetin tonë, pasi aty mund të studiojmë dhe të hetojmë marrëdhëniet dypalëshe midis BE-së dhe Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet për të pasur nënkomitete", tha Busek. Nga ana e tij, Berisha dha garanci se Qeveria do të respektojë Kushtetutën për të bërë transparencën e kërkuara nga opozita. "E siguroj atë gjithashtu se, Kushtetuta e vendit tim është Kushtetuta e një vendi të lirë dhe siguron një kuadër të plotë ligjor për respektimin e plotë të shtetit ligjor, transparencës së plotë të çdo dokumenti që ekziston në vendin tim", tha Berisha. Situata politike ishte pjesë e takimit edhe me kreun e Komisionit Evropian, Barroso. Një pritje i ka rezervuar Kryeministrit Sali Berisha edhe Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, i cili në konferencën e përbashkët për shtyp theksoi se, BE po sheh me interes situatën e brendshme politike në Shqipëri. Presidenti Rompuy tha se zgjedhjet e vitit të kaluar ishin një test për demokracinë shqiptare. "Ne diskutuam zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë dhe i konfirmova Kryeministrit se Bashkimi Evropian po i ndjek këto zhvillime me interes dhe vëmendje të madhe. Vitin e kaluar Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje ishin një test vendimtar i demokracisë në progresin e Shqipërisë drejt gatishmërisë për anëtarësim në BE", tha Presidenti i BE-së, i cili vlerësoi edhe dorëzimin e pyetësit të KE-së, duke e cilësuar si një moment historik për Shqipërinë. "Kryeministri më informoi për dorëzimin pranë Komisionit të përgjigjeve të Shqipërisë së Pyetësorit, pas aplikimit për t'u bashkuar me BE-në. Ky është një dokument historik për vendin tuaj", shtoi ai. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha premtoi se do të dialogojë me opozitën shqiptare për dhënien fund të ngërçit politik. Ai tha se kishte informuar Presidentin për reformat dhe situatën politike në Shqipëri. "E sigurova Presidentin se Qeveria ime dhe unë vetë do të bëjmë më të mirën, do të ndërmarrim çdo reformë, do të miratojmë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt integrimit në BE. Dhe gjithashtu do të bëjmë çdo përpjekje për të punuar së bashku me opozitën shqiptare. Jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha lëshimet në kuadrin e reformës zgjedhore", tha Berisha. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Presidenti i BE-së vlerësoi arritjen e vendit në plotësimin e kritereve të kërkuara teknike.

Rabin në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha takoi në Bruksel Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve, të cilët shprehën dëshirën për pasur një përfaqësues të tyrin në Shqipëri. "Ata nënvizuan se aktiviteti i tyre ka për qëllim rigjallërimin, promovimin dhe mbështetjen e komunitetit hebre në Evropë, duke shprehur dëshirën e tyre që edhe në Shqipëri të kishte objekte të kultit të tyre si dhe një përfaqësues", thuhet në njoftimin zyrtar. Ata shprehën mirënjohjen për mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›