E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronari i ‘3X’, vrasja nga Italia



DURRES/ OERD ULQINI

"Pista italiane" e Shyqyri Deliallisit është ajo mbi të cilën janë përqendruar më së shumti hetimet e policisë së Durrësit. Mendohet se vrasja e biznesmenit shijakas, emigrant i fillimit të viteve '90, të ketë ardhur si pasojë e ndonjë hakmarrjeje, burimi i së cilës mund të gjendet duke hetuar aktivitetin disa vjeçar të Deliallisit në Itali. Ndonëse hetuesit nuk përjashtojnë krejtësisht edhe pistën e një atentati për efekt konkurrence, duket se materiali i bollshëm, i mbërritur nga homologët italianë në policinë e Durrësit ka mjaftuar për t'i orientuar hetimet në një pistë të besueshme. Burime zyrtare të policisë së Durrësit, ndonëse deklarojnë se në Shqipëri skeda penale e Deliallisit është krejtësisht e pastër shtojnë gjithashtu se në vendin fqinj drejtësia italiane i kishte dokumentuar atij disa aktivitete të rënda kriminale si 'shfrytëzim prostitucioni', 'trafik narkotikësh' e krime kundër personit, për të cilat 35-vjeçari kishte kryer vite të gjata burgimi në Itali. Prej tre vjetësh ai ishte riatdhesuar nga italianët dhe kishte nisur aktivitetin si sipërmarrës i një diskoteke të quajtur "3X", në bregdetin e Durrësit. Nga ana tjetër të njëjtat burime thanë se "edhe të dhënat e depozituara nga gruaja e viktimës, dëshmitare okulare në vendngjarje kanë qenë të vakëta, për shkak të errësirës në rrugë dhe faktit se të dy personat mbi motor kishin vënë skafandra me xhama të errët në kokë. Kaq ka deklaruar gruaja dhe thëniet e saj kanë qenë jo të mjaftueshme për të ngritur identikitin e dy personave. Duket gjykuar mekanizmin e atentatit që i mori jetën pronarit të diskos, policia është e mendimit se është tipik mafioz dhe i planifikuar mirë. Atentatorët kanë gjetur një rrugë dytësore të Durrësit siç është ajo e "Unazës së Shkozetit", pa asnjë lloj ndriçimi, në një orar nate dhe që ka lidhje me rrugica të panumërta për t'u larguar. Këto detaje, sipas hetuesve të çojnë drejt një krimi të paramenduar mirë dhe të studiuar me hollësi. Atentati me pistoletë ndodhi në vendin e njohur si "Bregu i Kanalit", mes unazës së Plepave dhe asaj të Shkozetit, teksa pronari i diskos po udhëtonte me makinën ëolksvagen me targë DR 0730 F bashkë me nusen e tij. Në Policinë e Durrësit janë shoqëruar afro 10 persona, të cilët iu nënshtruan edhe provës së natribanit, me qëllim gjetjen e faktorëve plotësues të qitjes, por asnjëri prej tyre nuk rezultoi me grimca baruti në duar dhe rroba. Mungesa e provave dhe e dëshmitarëve ka bërë që policia të jetë larg zbardhjes së ngjarjes së rëndë që tronditi Durrësin.

Hetim dy emrave të viktimës
Viktima për policinë quhet Shyqyri Deliallisi, 35 vjeç i padënuar më parë, i lindur në Sukth dhe banues në lagjen "Plazh" të Durrësit. Këto janë të dhënat e gjetura në pasaportën e tij ndërkombëtare, ndërsa sipas familjarëve ai quhet Eugent (Gent) Deliallisi. Policia ka dyshimet se edhe përdorimi nga ana e viktimës i një identiteti të dyfishtë mund të ketë lidhje me të shkuarën e tij në Itali. Hetuesit e Durrësit thanë se "edhe ky fakt, pra përdorimi i dy emrave nga ana e 35-vjeçarit Deliallisi është objekt hetimi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›