Shqiptarët e Mitrovicës: Na mbroni ose do vetëmbrohemi

Mitrovicë (foto KosovaPress)
Qytetarët shqiptarë dhe ata të komuniteteve joserbe të veriut të Mitrovicës, kërkojnë veprime urgjente të strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i situatës. Ata kërkojnë veprime konkrete dhe të shpejta, meqë situata është në pikën kritike pas vrasjes së Selver Haradinajt në banesën e tij.
Këto kërkesa përfaqësuesit e banorëve shqiptarë dhe ata të boshnjakëve që jetojnë në veri, i kanë shtruar të mërkurën në takimin e Komitetit të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës. Janë shprehur mjaft kritik ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ndaj EULEX-it dhe KFOR-it për mosveprim në veri.
Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të veprojnë shpejt, meqë gjendja është shpërthyese. Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi, ka thënë ai.
Ndërsa, Musa Myftari, përfaqësues i organizatës Bregu i veriut, përveç kërkesës për rritjen e pranisë së strukturave të sigurisë, ka kërkuar që në lagjet me popullatë të përzier të vendosen kamera për të vëzhguar situatën. Nuk është ndonjë investim i madh, por vendosja e kamerave është shumë efikase, meqë ndikon në parandalimin dhe në identifikimin e personave që bëjnë krime, ka thënë Myftari.
Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak, ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të heqin alarmin që po përdoret nga strukturat kriminale serbe për të ftuar qytetarët serbë në aktivitetet e tyre kriminale. Ka shumë vite që përdoret ai alarm për qëllime kriminale, ndërsa autoritetet e sigurisë nuk kanë ndërmarrë asgjë, është shprehur Uglanin.
Në anën tjetër, zyrtarët e komunës së Mitrovicës, i kanë mbështetur kërkesat e banorëve të veriut.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se duhet vendosmëri e strukturave të sigurisë që të izolojnë grupet kriminale në veri. Duhet të veprohet, meqë në të kundërtën situata do të del jashtë kontrolli, ka theksuar Kastrati.
Sa i përket gjendjes aktuale të sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se nata ka kaluar e qetë, por tensionet janë shumë të mëdha. /Kosovapress/