Shqiptarët e meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një mesazh urimi drejtuar të martën Presidentit të ri të Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, thekson se "qytetarët shqiptarë meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane".
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se në mesazhin e urimit drejtuar z. Buzek, Kryetarja e Kuvendit, pasi e uron për zgjedhjen në postin e Presidentit të Parlamentit Europian, evidenton arritjet dhe progresin e jashtëzakonshëm të bërë nga Shqipëria kohet e fundit. "Ajo është sot anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Falë reformave të gjithashme, ekonomike e ligjore ne arritëm të përmbyllim fazën e ratifikimit të MSA-së në një kohë rekord, duke bërë të mundur në prill dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE", thuhet në mesazh. Sipas saj, "pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit, nisja e procesit të pajisjes me pasaportat biometrike, por edhe rezultatet e qarta në luftën ndaj krimit e korrupsionit, janë hapa që tregojnë vullnetin tonë maksimal për përmbushjen e aspiratës europiane të shqiptarëve". "Qytetarët shqiptarë janë dhe ndihen qytetarë të Europës. Ata meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane dhe për realizimin e kësaj ëndrre ne besojmë fort në mbështetjen Tuaj, i nderuar zoti Buzek, edhe për faktin se ju vini nga një vend që e kupton më së miri këtë aspiratë", thuhet në mesazhin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, drejtuar Presidentit të sapozgjedhur të Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. Më 13 Korrik, Jerzy Buzek, 69 vjeç, ish-kryeministër i Polonisë, u zgjodh në postin e Presidentit të Parlamentit Europian. Si kryeministër i një koalicioni qeveritar nga vitet 1997-2001, Buzek drejtoi refomat në Poloni në sistemin e pensioneve, sektorin e shëndetësisë, arsim dhe administratën publike.
...