E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët i thonë jo punëve në ushtrinë serbeNga Nikola Laziç, Balkan Insight Ndërsa ushtria serbe ka deklaruar se të gjithë qytetarët janë të mirëpritur për të aplikuar për karrierë në ushtri, politikanët shqiptarë në jug të Serbisë thonë se patrio

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqiptarët i thonë jo punëve në ushtrinë serbeNga Nikola Laziç, Balkan Insight Ndërsa ushtria serbe ka deklaruar se të gjithë qytetarët janë të mirëpritur për të aplikuar për karrierë në ushtri, politikanët shqiptarë në jug të Serbisë thonë se patriotët e tyre nuk kanë vend aty.
Në fillim të janarit, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nisi spotet për 2.920 vende si ushtarë profesionistë dhe civilë që shërbejnë në ushtri.
Postet janë të shpërndara në gjithë vendin. Por shumica janë në bazën ushtarake në jug.
Më e madhja dhe më e reja bazë ushtarake në Ballkan u hap vitin e shkuar afër Bujanovcit, një qytet me përzierje etnike afër kufirit me Maqedoninë e Kosovën.
Edhe pse zyrtarët e ushtrisë thonë se mirëpresin aplikime nga të gjithë qytetarët, jo vetëm serbët etnikë, asnjë shqiptar nga ky rajon nuk ka aplikuar deri më tani.
Serbia Jugore është një nga rajonet më të varfra në vend. Niveli i papunësisë është shumë i lartë në të gjitha komunitetet atje, por veçanërisht mes shqiptarëve që jetojnë në Bujanovc e Preshevë.
Megjithatë, pavarësisht ofertës për një mundësi të shkëlqyer për të fituar një jetesë të qëndrueshme, shqiptarët duken të painteresuar.
Zyrtarët e ushtrisë thonë se nuk kanë asgjë kundër shqiptarëve që aplikojnë për vendet e reklamuara, duke theksuar se më shumë se 200 shqiptarë punuan për ndërtimin e bazës në jug të Serbisë.
Po drejtuesit politikë shqiptarë thonë se vendasit kanë të drejtë kur refuzojnë ofertën, ndërsa kujtesën e kanë të freskët me rolin e ushtrisë serbe në luftërat e ndryshme në rajon në vitet ‘90.
Baza ushtarake në jug është përgjegjëse për mbulimin e zonës së sigurisë prej 250 kilometër katror, një hapësirë e ndjeshme kufitare mes Serbisë e Kosovës- që ka shpallur pavarësinë që në vitin 2008, por që pretendohet nga Serbia si territor i saj.
Ajo është e vetmja njësi e trupave tokësore në Serbi e përbërë tërësisht nga ushtarë profesionistë dhe është nën komandën e Brigadës së Katërt.
Komandanti i Brigadës së Katërt, general Milloshav Simoviç, thotë se ai nuk ka asnjë problem me shqiptarët që aplikojnë për punë në ushtri.
“Unë personalisht kanë marrëdhënie miqësore si me serbët, ashtu dhe me shqiptarët dhe nuk kam asgjë me shqiptarët që aplikojnë për ushtarë profesionistë në jug të Serbisë,” thotë ai.
“Ka një spekullim se popullata shqiptare është kundër ushtrisë, çka nuk është e vërtetë,” shton ai. “Ky imazh është krijuar nga politikanët shqiptarë dhe nuk reflekton sjelljen e qytetarëve shqiptare ndaj ushtrisë.”

Kreu i Ushtrisë serbe, general Milivoj Miletiç mbajti të njëjtin qëndrim gjatë vizitës më 8 janar.
Ndërsa shpalli se vendimet e fundit po e çojnë ushtrisë serbe drejt profesionalizmit të plotë, i pyetur nëse ftesat për të hyrë në ushtri drejtoheshin ndaj shqiptarëve, ai tha se postet ishin të hapura për gjithë qytetarët pa asnjë kufizim.
Serbia e Jugut po e merr veten nga konflikti i armatosur mes forcave të sigurisë dhe rebelëve shqiptarë të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit që zgjati nga nëntori 2000 deri në maj të vitit 2001 dhe përfundoi pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s.
Konflikti, një nga të fundit në territorin e ish-Jugosllavisë, erdhi pak pas konfliktit më të madh mes Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës, që kulmoi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Megjithatë, gjenerali Simoviç nënvizon se marrëdhëniet mes ushtrisë serbe dhe shqiptarëve në jugun e Serbisë, janë më të mira sot.
“Rreth 200 shqiptarë morën pjesë në ndërtimin e bazës ushtarake, çka do të thotë të ardhura për familjet e tyre, falë ushtrisë,” thotë ai.
“Këta njerëz ishin punëtorë të zotë e të ndershëm.”
Gjenerali shton se ushtria ka ofruar ndihmë mjekësorë për komunitetin shqiptar, veçanërisht në zonat e thella, dhe ka asistuar në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe infrastrukturës.
Simoviç pranon ekzistencën e një pengese administrative për shqiptarët që të bashkohen me ushtrinë profesionale. Vetëm një grusht prej tyre kanë shërbyer si rekrutë që nga viti 1991, dhe ky është një nga kushtet për të marrë një detyrë në ushtri.
Po liderët politikë shqiptarë mbeten kundërshtarë të faktit që patriotët e tyre të shërbejnë në ushtri për asnjë arsye. Ata dënojnë hapjen e bazës ushtarake në jug, duke pretenduar se prania e tyre do të militarizojë më tej rajonin. Ata besojnë gjithashtu se një nga qëllimet e bazës është që të dëmtojë komunitetin shqiptar dhe tu bëjë presion që të largohen prej aty.
Jonuz Musliu, një ish komandant i Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, thotë se ushtria nuk është reformuar që nga kohërat e Sllobodan Millosheviçit, ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë që vdiq në Hagë në vitin 2006 gjatë gjyqit për krime lufte.
“Serbia nuk e ka zgjidhur çështjen politike dhe statusin e shqiptarëve, dhe pa këtë, është shumë herët që të flitet për ndonjë bashkëpunim me ushtrinë,” thotë Musliu, aktualisht kryetar i asamblesë lokale në Bujanovc. “Shqiptarët kanë ende kujtime të freskëta nga roli i ushtrisë në luftërat në rajon dhe të sjelljes së tyre kundrejt nesh,” shton ai.
Skënder Destani, kryetar i asamblesë së Preshevës, ndan të njëjtin mendim, megjithëse thekson se është në dorë të qytetarëve nëse duan të aplikojnë apo jo për në ushtri.
“Personalisht jam kundër, për shkak se nuk mendoj se marrëdhëniet serbo-shqiptare janë aq të mira, por nëse ndonjë shqiptar vendos që të kërkojë punë në ushtri, nuk do e kundërshtoja,” thotë Destani.
Në mënyrë domethënëse, menjëherë pasi konflikti i armatosur mbaroi në vitin 2001, shqiptarët ishin të lumtur që të bashkoheshin me policinë lokale, e cila u rikonfigurua si një forcë multietnike pas bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe liderët politikë lokalë. Projekti ishte lancuar në mënyrë të tillë që të siguronte integrimin e shqiptarëve në strukturat shtetërore serbe.
Të pyetur se përse janë dakort që shqiptarët të jenë në polici, por jo në ushtri, drejtuesit politikë shqiptarë thonë se prezenca shqiptare në polici është rezultat i një marrëveshje të qartë politike.
“Projekti i një policie multietnike është rezultat i një marrëveshje mes shqiptarëve, shtetit dhe komunitetit ndërkombëtar- një marrëveshje konkrete dhe e planifikuar, dhe kjo nuk ndodh në rastin e ushtrisë,” nënvizon Musliu.
“Unë besoj se policia multietnike është mjaftueshëm në gjendje për të ruajtur paqen dhe rendin dhe të gjitha forcat ushtarake, apo policia speciale janë të panevojshme,” shton ai.
Gjenerali në pension, Ninoslav Krstic, ish komandant i forcave të sigurisë në konfliktin e Serbisë jugore, thotë se prania shqiptare në ushtri është e dëshirueshme dhe se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për t’i inkurajuar ata që të marrin pjesë.
“Është realiste dhe e dëshirueshme që shqiptarët të jenë në ushtri dhe ata duhet të aplikojnë për ushtrinë. Megjithatë, shteti duhet t’i inkurajojë ata në mënyrë agresive dhe publikisht të deklarojë se ata janë të mirëpritur në ushtri,” thotë Krstic.
Gjenerali në pension thotë se rezistenca e politikanëve shqiptarë është diçka që pritej. “Në fillim ata ishin edhe kundër policisë multietnike gjithashtu,” kujton ai.
“Pikërisht për këtë arsye përfaqësuesit e shtetit duhet të flasin seriozisht me shqiptarët për çështjen.”
Nga ana tjetër, shqiptarët dyshojnë se patriotët e tyre do të kërkojnë punë në ushtri. Muhamed Rexhepi, 25 vjeç, megjithëse nuk ka një punë të rregullt, thotë se nuk do marrë në konsideratë aplikimin. “Nuk njoh shqiptar që mund të aplikojë,” thotë ai. “Kam nevojë për punë, por nuk mendoj se do punoj në ushtri.”

Nexhat Behluli, një gazetar lokal, thotë se edhe nëse ka shqiptarë që duan të kenë një karrierë në ushtri, ata ndoshta nuk do aplikojnë për shkak të frikës së reagimit në komunitet, i cili influencohet nga politikanët.
“Çështja duhet të diskutohet seriozisht nga përfaqësuesit e shtetit dhe shqiptarët,” thotë Beluli. “Pa mbështetjen e liderëve të tyre politikë, shqiptarët pa dyshim që nuk do kërkojnë punë në ushtri.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›