E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur lumenjtë kthehen në mallkimNga Lorenc VangjeliDoktori i Shkencave Kristo Goga* ndjehet në ujërat e tij kur flet për ujin. Specialist i vjetër hidroteknik, ish-kryeinxhinier i ISPVU-së, anëtar i komitetit të digave të larta dhe pedagog në fakultet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kur lumenjtë kthehen në mallkimNga Lorenc VangjeliDoktori i Shkencave Kristo Goga* ndjehet në ujërat e tij kur flet për ujin. Specialist i vjetër hidroteknik, ish-kryeinxhinier i ISPVU-së, anëtar i komitetit të digave të larta dhe pedagog në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, ai flet me pasion dhe revoltë për mendjelehtësinë njerëzore në sjelljen me natyrën. I ftohtë dhe i saktë ai krahason shifrat dhe mbi to arsyeton: nuk e meritonim përmbytjen e këtij viti në Shkodër dhe rrethina. Në një intervistë për revistën MAPO, ai flet për të djeshmen dhe të sotmen e lumenjve shqiptarë, një bekim nga Perëndia, por që shpesh kthehen në mallkim për shkak të paaftësisë së qeverisëse

Duke marrë shkas nga ajo çfarë ndodhi në Shkodër dhe në rrethina, pse ndodhin përmbytjet?

Analiza e përmbytjeve është shumë e gjërë. Zakonisht, për fat të keq, analiza fillon duke analizuar pasojat e përmbytjeve e pastaj elementët e ndryshëm që kanë shkaktuar atë. Në kohët moderne përmbytjet vijnë kryesisht nga mungesa e vëmendjes në vrojtimet atmosferike e hidrologjike, elemenë kryesorë në gjenerimin e prurjeve maksimale të rrezikshme.
Në Shqipëri, matjet e reshjeve kanë nisur që në vitin 1888 në Shkodër, si një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Më vonë, në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, janë hapur disa stacione klimatike, kryesisht për matjen e reshjeve, që me ndërprerje kanë punuar deri në mbarim të luftës së Dytë Botërore. Pas Çlirimit të vendit, shteti i ri i riorganizoi dhe i shtoi duke e mbuluar të gjithë vendin me stacione klimatike dhe poste hidrometrike. Në fillim këto ishin në varësi të Institutit të Shkencave dhe që nga viti 1949, administroheshin nga Instituti Hidrometeorologjik.Veprimtaria e këtij instituti ishte e gjërë dhe cilësore.Të gjitha matjet dhe studimet ky institute i botonte në buletine dhe studime peridike.Që nga viti 1990 ky institut nuk bën vrojtime si më pare, nuk boton asgjë. Tani ai është katandisur si kokoshi një thelë. Dobësia e tij u duk qartë edhe në përmbytjet e fillimit të Janarit 2010 ku nuk doli asnjëherë në kronikat televizive apo në media të shkruara që të jepte informacionet profesionale që i takojnë atij institucioni shumë të rëndësishëm të vendit tonë.

Shqipëria ndahet nga një rrjet paralel lumenjsh që rrjedhin nga Lindja në Perëndim, a kanë pësuar ndryshime shtretërit e tyre gjatë historisë?

Vendi ynë, here pas here, është prekur nga përmbyjet, por problem është se sa është bërë për t´u mbrojtur prej tyre. Nga historia dimë se nga aktiviteti i lumenjve është krijuar një pjesë më e madhe e ulësirës perëndimore, nëpërmjet aluvioneve që kanë prurë për efekt të erozionit në pjesët e sipërme të pellgjeve e ujëmbledhëse të tyre. Nga harta të vjetra antike del se kur Çezari bëri luftrat e tij kundër Pompeut në territorin shqiptar, fusha e Myzeqesë ishte në vijën detare Zvërnec-Apolloni-Karavasta –Divjakë-Spile dhe lumi Seman (Apsus) në atë kohë kalonte përmes Myzeqesë së Lushnjës, nga zona e Kozares në Gradishtë-Karavasta. Lumi Seman quhet një nga lumenjtë më të lëvizshëm në pjesën fushore të tij. Dihet se kur Vjosa ndryshoi grykëderdhjen e saj, u venit edhe shkëlqimi i Apollonisë sonë. Lumi Shkumbin (Genus), sipas të dhënave, ka ndryshuar vëndderdhjen e tij që nga shekulli i 3-të, të paktën 6 herë. Dhe situata hidrike e zonës së Shkodrës, dikur ka qënë shumë e ndryshme nga kjo e sotmja. Ndryshimet e grykëderdhjeve dhe shtrati i pjesës fushore të lumenjve merr formë të plotë kur ndodhin përmbytjet. Nga të dhënat del se Drini ka kaluar pjesën kryesore të rrjedhjes së tij në Bahçallëk duke u bashkuar me Bunën rreth vitit 1858. Po në këtë periudhe mendohet të kenë bërë ndryshimet e veta edhe Semani duke ndarë fshatin Seman në dy pjesë. Semani i sotëm dikur ka qënë i gjithë në krahun e djathtë të lumit, ndërsa tani fshati Seman, në pjesën më të madhe të tij, është në krahun e majtë të lumit dhe një pjesë e njohur me emrin Pylli i Gogës e pak më gjërë ngeli si më parë, në anën e djathtë të lumit Seman. Në librin “Lumi i vdekur” të shkrimtarit të shquar fierak Jakov Xoxa është përshkruar shumë drejt jeta e Myzeqesë së kësaj zone në një periudhë historike të vështirë për vendin tonë.
Lëvizjet përfundimtare të shtretërve dhe deltave të lumenjëve finalizohen në rastin e ngjarjeve klimatike e hidrologjike. Deri sa të vijë kjo ditë, në vendet e drejtimeve të reja kanë ndodhur më parë dhe pothuaj çdo vit, dalje të ujit të lumit edhe pa arritur nivelet maksimale të ujit që barazohen me bregun më të lartë të lumit. Përgjithësisht këto ndodhin në vende ku bregu i lumit është pak më poshtë se ai i pjesës më të afërt të tij dhe herë pas here edhe me prurje që janë edhe të rendit që lëvizin brenda shtratit të lumit, në këtë pjesë kalojnë prurje uji, në fillim të vogla e më vonë më të mëdha.Dalëngadalë këto prurje dalin nga shtrati kryesor, thellojnë dhe zgjerojnë këtë rrugë të re si një pararojë dhe në kushte më të disfavorshme hidrologjike, kur shtrati i lumit nuk është në gjëndje t´i transportojë, kalojnë në një masë shumë të madhe në rrugën e re duke thelluar e zgjeruar atë dhe duke e bërë të aftë të thithë prurje shumë të mëdha në të ardhmen. Në këto raste lumi mund ta braktisë përfundimisht gjurmën e vjetër, por mund të ndodhë që bën edhe “kompromis” duke i mbajtur të dyja dhe sipas kohës hidrologjike, mund t´i japë rëndësi here njërës e here tjetrës linjë.

Po lumi Drin, konkretisht dhe “marëdhënia e tij me Bunën?

Edhe Drini dikur kishte një derdhje kryesore në drejtim të Lezhës, por duke menduar se të gjitha këto prurje kaq të mëdha hapeshin në fushën e Zadrimës që ishte një rregullues gjigand për transformimin e plotave. Me kohë Drini ka dalë nga shtrati edhe në drejtim të Bahçallëkut dhe dalëngadalë ai e ka rritur sasinë e rrjedhjes në këtë drejtim deri sa ka ardhur ” dita” e tij rreth vitit 1858. Thuhet se në këtë drejtim ka ndihmuar edhe një kanal ujitës që merrte ujë nga lumi Drin. Me hapjen e rrugës së re rreth vitit 1858, Drini e transferoi rrjedhën kryesore në Bahçallëk duke u bashkuar me lumin Buna dhe duke ndryshuar në mënyrë rrënjësore situatën hidrike në zonën e Shkodrës. Aluvionet e shumta që sillte Drini, bënë që lumi Buna të humbte vlerat e saj si një lumë shumë i pastër, i lundrueshëm për anije të tonazhit të vogël, sepse prurjet e këtij lumi rregulloheshin shumë mirë nga liqeni i Shkodrës. Rreth viteve 1882-1885, janë bërë përpjekje nga një firmë franceze për ta kthyer rrjedhën kryesore të lumit Drin në drejtim të Lezhës, por nuk kanë mundur. Një inxhinier francez, i quajtur Lambert, nga firma e mësipërme, është mbytur aksidentalisht në Bunë gjatë kësaj periudhe.

Si është realiteti sot, pse Shqipëria e vuan ende përmbytjen?

Përmbytjet që ndodhën këtë fillim Janari të 2010 do të na pëlqente që të ishin të fundit. Këtë gjë e ka në dorë shteti. Dihet që para kësaj përmbytjeje, në kohë të ndryshme, kanë ndodhur përmbytje të tjera, jo vetëm në zonën e Shkodrës. Për Shqipërinë, lufta kundër përmbytjeve është e re. Realiteti historik tregon se lufta e vërtetë kundër përmbytjeve ka filluar kryesisht në fillimet e regjimit komunist. Më parë, kemi vetëm ca punime bamirësie kundër malarjes dhe mushkonjave që sillnin malarjen. Dihet historikisht se malarja në vendin tone u zhduk aty nga mesi i viteve ‘50 të shekullit XX. Filozofi i shquar shqiptar Sami Frashëri, në librin e tij pamflet për shqiptarët, “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ka shkruar se Shqipëria e ardhme, pas shkëputjes nga perandoria osmane, do të duhet të bonifikojë fushat (tharje kënetash, kullimi dhe ujitja), do të ndërtohen penda për mbrojtjen e fushave nga vërshimet e lumenjve, etj. Besoj se kjo largëpamësi e filozofit të madh është realizuar në drejtim të veprave hiodroteknike të ndërtuara në vendin tonë, ndoshta ka tejkaluar edhe parashikimet e tij.
Mbrojtja nga përmbytjet dhe bonifikimi i tokave është një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë. Nëqoftëse ditët e sotme do të na gjenin pa punimet hidroteknike që kemi trashëguar, ne do të provonim çdo vit përmbytje dhe nuk do të kishim këtë fond toke që kemi tani. Argjinaturat mbrojtëse nga lumenjtë përgjithësisht kanë mbaruar në pjesën e parë të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Autorit të këtyre radhëve i qëlloi fati që të projektojë argjinaturat e lumit Erzen, se argjinaturat e lumenjve të tjerë ishin projektuar dhe udhëhequr nga projektuesët e mëdhenj të hidroteknikës shqiptare, Dr.inxh.Thoma Filipeu dhe Dr.Inxh.Faredin Nuri.

Mund të na thoni diçka për historikun e përmbytjeve në Shqipëri?

Historikisht njihen shumë përmbytje të mëdha në Shqipëri, por duhet theksuar se me ndërtimin e veprave hidroteknike mbrojtëse kundër përmbytjeve, gjatë regjimit komunist, u bë e mundur frenimi dhe mënjanimi i tyre. Para këtyre punimeve çdo vit kishte përmbytje.
Viti hidrologjik 1962-1963 (viti hidrologjik fillon më 01.10 të vitit paraardhës dhe përfundon më 30.09 të vitit pasardhës) është një vit me reshje dhe efekte hidrologjike të jashtëzakonshme që konsiderohet i rangut me përsëritje 1 herë në 50 vjet (2% siguri) deri në 1 herë në 100 vjet (1% siguri). Vetëm lumi Vjosa ka qënë i rangut 1 herë në 20 vjet (5% siguri). Që nga periudha kur ka filluar ndërtimi i argjinaturave, në fillim të viteve ’50 të shekullit XX e deri sot, reshjet dhe situata hidrologjike e vitit 1962-1963 nuk është përsëritur në të gjithë territorin e vendit tone. Në këtë vit pothuajse të gjitha argjinaturat sapo ishin ndërtuar dhe nga presioni i ujit, në disa pika delikate u çanë dhe pothuajse në të gjithë vendin, në ultësirën perëndimore u bënë përmbytje të mëdha. Argjinatura e Semanit u ça në zonën e Kallmit, ato të Shkumbinit u çanë në zonën e Sulzotajt dhe ujrat e të dy lumenëve u bashkuan në ish-kënetën e Tërbufit, Nënshkodra, një pjesë e qytetit Shkodrës si dhe Zadrima pësuan përmbytje. Pavarësisht se argjinaturat u riparuan menjëherë, përsëri përmbytjet qenë të mëdha. Pas këtij viti situata sinoptike të rënda, njëhohësisht në të gjithë Shqipërinë, nuk ka patur. Situata lokale ka patur.
Për shembull, në 31 Dhjetor 1970-01 Janar 1971, ka patur përmbytje nga lumi Vjosa në zonën e Urës së Mifolit. Përmbytje nga lumi Vjosa ka patur edhe vitin e kaluar. Më 23-24 Tetor 1981 në zonën Divjakë-Libofshë-Gorre-Seman-Fier-Rroskovec-Ballsh-Sinjë ka patur një ciklon shumë të fortë me reshje jashtë zakonisht të mëdha që shkaktuan përmbytje dhe dëme në të gjithë zonën e cituar. Reshjet ditore të vrojtuara në Gorre e Fier ishin të rendit mbi 1 herë në 1000 vjet. Mund të theksojmë se Libofshë kanë rënë rreth 440 mm shi në 10 orë. Me qënë se janë matur nga pluviometri i shkollës nuk janë zytare. Tre ditë vazhdoi përmbytja dhe uji u largua shpejt se kanalet kulluese ishin në gatishmëri të plotë sipas rregullave. Po ashtu edhe hidrovoret dhe digat.(Rregulli është që kanalet kulluese, hidrovoret, digat dhe të gjitha veprat hidroteknike që kanë të bëjnë me mbrojtjet nga ujrat, të jenë në gatishmëri më 30 shtator të çdo viti).
Në tetor 2003 pati përmbytje të mëdha nga lumi Gjadër në zonën e Mënellës dhe të Malit të Rrëxuar. Uji prishi edhe punimet në proces që po kryheshin për riparimin e pritës së Gjadrit, prishur një vit më parë. Prurjet ishin aq të mëdha sa ato kaluan edhe mbi argjinaturën e krahut të djathtë dhe në pjesën e argjinaturës në Naraç, si dhe prishi një hapësirë të veçantë të urës së vjetër mbi Gjadër. Nga llogaritjet doli se këto prurje ishin të rendit mbi 1 herë në 1000 vjet, por vetëm se ishin lolale. Njihet historikisht se në vendmatjen Korthpulë, më 2 Tetor 1949, ka rënë 500 mm shi, por reshtjet nuk kanë të këtij rendi në pikat e tjera të vendmatjeve.
Në tremuajorin e fundit të vitit 2009 lumi Gjanica në Fier, ka përmbytur dy herë zonën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Por nuk janë reshjet, ato që shkaktuan këto përmbytje, por ndërtimet dhe mirëmbajtja e dobët e veprave m,brojtëse. Gjanica është kthyer në një gjëndje të rëndë hidrike, që na kujton Lanën e dikurshme që ishte mbushur me ndërtime të paligjshme menjëherë pas vitit 1990. Kemi dëgjuar se tani për Gjanicën po përpunohet një projekt sistemimi. Besojmë se firma fituese projektuese duhet të jetë me eksperience të madhe në mbrojtjen dhe sistemimin e lumenjëve.
Në vitin 1976,vetëm gjatë një nate , nga një fortunë shumë e fortë, u dëmtuan pothuajse të gjitha plazhet tona të detit Adriatik. Një fenomen i tillë ka ndodhur në fillim të Janarit 2010 në bregun e Ishull Shëngjinit, të zones turistike të Kunes dhe tek hidrovori i Tales. Ёshtë një rast tipik, ku fenomeni i baticës, që tek ne është rreth 50 cm, duke u bashkuar me ngritjen e nivelit prej presionit të erës dhe atë të dallgës. Në vendet e veriut të Europës ky fenomen është shumë i theksuar dhe arrin vlera shumë të larta sa kanë ndërtuar edhe hidrocentrale që shfrytëzojnë fenomenin e baticë-zbaticës.
Për rastin e përmbytjeve të zones së Shkodrës është një fenomen lokal, por çuditërisht, me ato të dhëna që janë dhënë në transmetimet televizive, reshjet janë në Shkodër të rendit 60-70 mm në ditë, deklarohen zyrtarisht si të rendit 1 herë në 100 vjet, kur në të vërtetë janë shumë herë më pak edhe se mesatarja e reshjeve maksimale.Në Shkodër duhet të kishin rënë të paktën mbi 320 mm shi në 24 orë që të quheshin të rangut 1 herë në 100 vjet.Thuhet nga hidrologët dhe sinoptikanët se kemi hyrë me kohë në periudhën ujëpak.Edhe po të pranojmë se ngrohja globale ka influence shumë të madhe tek ne, përsëri reshjet e rëna nuk përligjin përmbytjen.Ёshtë për të ardhur keq që ministra e udhëheqës të shtetit arrijnë që të thonë edhe absurditete të tilla si konvertimi i 1 m3 borë me 4 m3 ujë. Kjo tingëllon si deklarimi i atij ministrit tjetër që donte të sillte në Shqipëri eshtrat e të madhit Ismail Qemali. Edhe prurjet hyrëse në Fierzë janë deklaruar të rendit 1500 m3/sek dhe me përsëritje 1 herë në 100 vjet, kur në fakt këto prurje janë më poshtë edhe se 1 herë në 20 vjet. Pavarësisht se prurjet e Bunës, të Kirit e të Gjadrit nuk komandohen nga njeriu, por dhe prurje të mëdha të tyre nuk përligjen me reshjet që deklarohen në transmetimet televizive (se ish-Instituti Hidrometeorologjik nuk doli asnjëherë nuk që të jepte të dhëna: me reformën e Akademisë ai është bërë inekzistent). Kuptohet lehtë se në përmbytjet e zonës së Shkodrës ka influencë të madhe edhe administrimi i shkarkimeve nga hidrocentralet. Dhe kjo përmbytje në zonën e Shkodrës është më e madhja historike. Sa për kujtesë: më 13 Janar 1963 në Vaun e Dejës është matur prurja 5180 m3/sek, në Bahçallëk 4812 m3/sek dhe në Bunë, dy ditë më pas, 1793 m3/s. Po tani a kanë qënë këto prurje natyrale? Në asnjë mënyrë jo. Artificiale mundet, nga portat e hapura të hidrocentraleve.

Atëherë, sipas jush, cili është ndikimi dhe përgjegjësia njerëzore në atë që ndodhi në Shkodër?

Për hidrocentralet ka rregullore shfrytëzimi, por si është zbatuar ajo? Siguria e digave nuk diskutohet, ato janë të sigurta. Problemi qëndron më shumë tek mekanizmat, sidomos tek mirëmbajtja e portave metalike. Një problem tjetër që del nga administrimi i shkarkimeve nga hidrocentralet, është se ato nuk duhen lënë në dorën direkte të njerëzve, por duhen bërë automatike. Një eksperience e tillë është në vendin tonë dhe funksionon në mbi 650 digat që administron bujqësia.
Në Shqipëri , pas vitit 1990, vërehet një fenomen i jashtëzakonshëm, ai shkatërrimit të çdo trashëgimie nga e kaluara. Ky fenomen vlen edhe për veprat hidroteknike dhe në mënyrë të veçantë ato të bujqësisë. Fenomeni i përmbytjeve pas vitit 1990, është fakt se vjen nga dora e njeriut me veprimin ose me mos veprimin e tij. Kuptohet se njeriu në këtë rast përfaqësohet me shtetin, si përgjegjësi kryesor për situatën.
Një nga këto gabime të rënda e trashanike është shkatërrimi i institucioneve shkencore, truri i zhvillimit të vendit. Institucionet shkencore e studimore projektuese janë vendi ku janë studiuar e projektuar të gjitha veprat hidroteknike në Shqipëri, qofshin këto hidrocentrale, vepra të bujqësisë etj. Megjithëse ekonomia jonë ka humbje të mëdha nga mungesa e këtyre institucioneve, përsëri nuk shihet asnjë rreze shpresë. Deri kur do të vazhdohet kështu? Këtë nuk mund ta them unë, por sa kohë nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente, atëherë “natyra” do të vazhdojë të hakmerret me mjetet e saj.

*Ish Kryeinxhinier i ISPVU të Bujqësisë, Anëtar i Komitetit Kombëtar të Digave të mëdha të Shqipërisë, aktualisht Pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›