E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët kanë frikë të shkojnë te dentisti

Autori i Lajmit: red.
Mungesa jatrogjene (mungesa e fituar e dhëmbëve, si pasojë e heqjes së tyre) vazhdon të mbetet fenomen shqetësues i stomatologjisë bashkëkohore, për pasojat negative fizike dhe psikologjike që mbart, sidomos tek adoleshentët (grup-mosha 13-18 vjeç). Specialistët e shëndetit dentar të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, pas një studimi të kryer në 2 shkolla të Tiranës mbi këtë fenomen, rekomandojnë për këtë mjekimin e përhershëm të të gjitha patologjive të dhëmbëve. "Meqenëse edukimi shëndetësor nëpër shkolla mbulon vetëm një pjesë shumë të kufizuar të popullsisë, nevojitet shtrirja e tij me mjete të ndryshme (media) dhe në pjesën tjetër të popullatës, që në pjesën më të madhe të rasteve vendos për fatin e gojës dhe të dhëmbëve të fëmijëve dhe adoleshentëve", rekomandojnë specialistët. Ata këshillojnë mjekët e shkollave, si të vetmit që kanë mundësi të gjerë bashkëpunimi me nxënësit e moshave të ndryshme, të shtojnë punën e tyre për të luftuar frikën dentare tek fëmijët, si një ndër shkaqet e patologjive të ndryshme. Të dhënat e studimit tregojnë se mungesa jatrogjene në popullatën tonë rezulton të jetë 26.4 për qind; 30 për qind tek vajzat dhe 21 për qind tek djemtë. Megjithatë, sipas studimit, në grup-moshën e adoleshencës kjo mungesë nuk varet nga parametra të tillë si gjinia dhe mosha. Shkaqe madhore të heqjes së dhëmbëve tek adoleshentët vazhdojnë të jenë ndërlikimet e procesit karioz (në 91.8 për qind). Duke iu referuar të dhënave, rol të pamohueshëm në mungesën jatrogjene të dhëmbëve luan frika dentare, në 13.4 për qind të popullatës, dhe në mënyrë të veçantë qëndrimi i mjekut stomatolog. Studimi vëren se në popullatën tonë vetëm në 29.1 për qind të rasteve kemi këmbënguljen e mjekut për trajtim konservativ të dhëmbit. "Mungesa e dhëmbëve, si një parametër i shëndetit oral i shqyrtuar më vete, nuk lidhet me nivelin social ekonomik dhe kulturor të vetë individit, apo të familjes së tij, dhe shpeshtësia e saj në një popullatë adoleshentësh nuk ndikohet nga lëvizja demografike e popullisë", rezulton nga studimi. Të dhënat e këtij studimi u mblodhën nëpërmjet ekzaminimit objektiv intraoral, intervistave, si dhe anketimit, për të mbledhur të dhëna mbi nivelin social ekonomik të kampionit dhe lëvizjen e tij demografike.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›