Rama: Do pastrojmë blloqet e banimit nga ndërtimet abuzive që cenojnë hapësirat
"Do të vazhdojmë me intensitet të gjitha pastrimet dhe prishjet brenda blloqeve të banimit, si gardhe, garazhe, ndërtime të tjera abuzive që cenojnë hapësirën publike". Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, përpara banorëve të njësisë Nr. 10 në kryeqytet gjatë prezantimit të buxhetit 2009 përmes dëgjesave publike "Thuaj fjalën tënde". "Ne po progresojmë në mënyrë sistematike në të gjitha blloqet dhe po krijojmë modele të cilat po shumëfishohen në territorin e Tiranës", theksoi më tej Rama. Kryebashkiaku tha se suksesi i investimeve në Tiranë është i sigurt, për sa kohë është krijuar modeli i zhvillimit. "Kemi një qytet që është bërë pikë referimi për të gjithë Shqipërinë dhe një model zhvillimi. Si rrjedhim kemi një të ardhme të garantuar", vazhdoi Rama. Edhe në njësinë bashkiake Nr. 10 janë planifikuar një sërë ndërhyrjesh, duke përfshirë investime në rrjetet rrugore, në sistemimin e furnizimit me ujë, ndriçimin rrugor, modelimin urban etj. Në këtë njësi, sipas drejtuesve të bashkisë, kanë filluar ndërhyrjet në bllokun Nr. 17, i cili kufizohet me rrugët: "Mine Peza", Rruga e Durrësit dhe sheshi "Karl Topia". Sipërfaqja e tij është 9.3 hektarë dhe parashikohet ndërhyrje e plotë në infrastrukturën nëntokësore dhe atë mbitokësore. Po kështu ka nisur rikualifikimi urban i hapësirave të zonës, kufizuar nga rrugët: "4 Dëshmorët", "Myslym Shyri", bulevardi "Zhan D‘Ark", rruga "Sami Frashëri". Këto ndërhyrje konsistojnë në trajtimin apo zgjidhjen urbane të hapësirave të mbetura të patrajtuara midis pallateve, duke shtuar në to elemente si stola, gjelbërim, ndriçues, kënde sportive etj., si dhe përmirësimin e kushteve të infrastrukturës, rivitalizimin dhe pasurimin me programe e lehtësira për qytetarët, të shesheve të kryeqytetit, si hapësira publike të dedikuara për qytetarët. Premtohet ndërhyrje në 9 sheshe të kësaj hapësire, sipas karakteristikave të secilit territor, që shkojnë nga platforma gjelbërimi, deri në elementet e identitetit.