E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet protesta për rikthimin e lirisë së besimit fetar

Besimtarët myslimanë të Elbasanit përkujtuan dje paradite protestën e 7 dhjetorit të vitit 1990, para xhamisë së Nazireshës në këtë qytet, për rikthimin e lirisë së besimit fetar të ndaluar me ligj nga diktatura komuniste në vitin 1967. Në këtë përvjetor të 18-të ishin të pranishëm qindra besimtarë myslimanë dhe nga komunitete të tjera fetare, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe të forcave politike. Në nderim të kësaj dite u vendos dhe një pllakë përkujtimore në sheshin para xhamisë së Nazireshës. Protesta e organizuar nga besimtarët myslimanë të Elbasanit në fillim të dhjetorit të vitit 1990 u cilësua nga myftiu i Elbasanit, Agim Duka, si shkëndija që u dha zemër të gjithë shqiptarëve anë e kënd vendit për të nxitur protestat e fuqishme antikomuniste, që përfshinë më pas të gjithë Shqipërinë. Hapja e xhamisë së Nazireshës më 7 dhjetor 1990 dhe më pas e kishës Shën Maria në lagjen "Kala" shënoi dhe rikthimin e lirisë së ushtrimit të besimeve fetare jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë vendin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›