E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi, 18% rritje për investime

Nëse deficiti tregtar do të ishte i lartë falë rritjes së shpenzimeve për të sjellë në vend pajisje dhe makineri në drejtim të kryerjes së investimeve, niveli i tij do të ishte i justifikuar. Statistikat e periudhës janar-shtator flasin për një rritje të importit për mallra ushqimorë dhe për lëndë të para, ndërsa makineritë dhe pajisjet për linjat e prodhimit nuk kanë peshë të madhe. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se nga 2,5 miliardë euro importe të kryera si 9-mujor, rreth 527 milionë euro janë shpenzuar në drejtim të rritjes së investimeve. Pjesën më të madhe tek importet e zënë mallrat e përpunuar, me rreth 603 milionë euro, por edhe produktet që vijnë nga fusha e lëndëve djegëse (karburantet). Rritja e shpenzimeve për këtë zë të tregtisë nuk i kalon 18% në krahasim me vitin 2007. Shkëmbimet tregtare në mallra të Shqipërisë me botën, gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008 shënuan një vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh, duke qenë rreth 18% më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Shpenzimet për importin e mallrave shënuan vlerën 2,547 milionë euro, ndërkohë që të ardhurat nga eksporti i mallrave arritën në 708 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave shënoi vlerën 1.8 miliardë euro, duke qenë rreth 16 për qind më i lartë sesa në vitin 2007. Rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17%, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Importi për përpunim aktiv ka shënuar një rritje vjetore prej 7% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që pesha e kësaj kategorie importesh ndaj vlerës së përgjithshme të importeve ishte 12%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›