E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët e Frakullës protestojnë kundër çmimit të shpronësimit

Me qindra fermerë të Komunës së Frakullës kanë protestuar dje, për të dytën ditë radhazi, lidhur me çmimet e shpronësimeve të autostradës Levan-Tepelenë. Ka qenë vendimi i qeverisë për shpronësimet që ka mbërritur në fundjavë pranë komunës, ai që ka detyruar fermerët të dalin në protesta. Mesditën e së shtunës, qindra fermerë të Frakullës u mblodhën në sheshin para komunës. Ndërsa të dielën ata i janë afruar rrugës kombëtare Fier-Vlorë, duke kërcënuar se do ta bllokojnë nëse nuk rishikohen edhe një herë çmimet e shpronësimit të tokave, që do të lënë në dispozicion të autostradës me drejtim nga Tepelena. Në mbështetje të fermerëve është shprehur edhe kryetari i Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku. Menjëherë pas ardhjes së vendimit të qeverisë në komunë, kryetari i saj ka mbledhur stafin e tij, si dhe kryepleqtë e fshatrave, për të vijuar më pas takimin me fermerët. Kryetari i komunës u ka bërë thirrje fermerëve që të vazhdojnë me përgatitjen e dokumentacionit dhe të martën, së bashku me të dhënat specifike të tokës, fermerët do të dërgojnë pranë Këshillit të Ministrave dhe kreut të tij, Sali Berisha, ankesat përkatëse.

"Të gjitha ankesat tuaja, së bashku me ato të bëra në mënyrë të përsëritur nga komuna, do të dërgohen në Kryeministri. Ashtu si ju, edhe unë si kryetar komune nuk do të lejoj përparimin e autostradës drejt Frakullës e Tepelenës, nëse nuk ka ndryshim të çmimeve të shpronësimeve", u ka thënë fermerëve kreu i komunës, Viktor Çervanaku. Ankesat e fermerëve të Frakullës do të dërgohen edhe në Presidencë, Parlament, Ministrinë e Transportit, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, deri dhe tek Avokati i Popullit. Fermerët, nga ana e tyre, kanë treguar se toka që u preket nga autostrada është e kategorisë së parë dhe qeveria e ka klasifikuar atë si tokë jo produktive, duke i vënë edhe një çmim nga 400 deri në 800 lekë për metër katror. Vendimi i qeverisë për shpronësimet e autostradës Levan-Tepelenë ka lënë në dispozicion të fermerëve të prekur prej gjurmës së saj, një çmim nga 380-800 lekë të reja për metër katror.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›