E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët ndëshkojnë Kuqezinjtë (Video)

Kombëtarja shqiptare ka zbritur me këmbët në tokë, duke pësuar humbje nga Zvicra me rezultat 2:0. Dy gabime trashanike i kushtuan me humbje skuadrës së Gianni De Biasit, që pati fytyrë tjetër për dallim nga sfida me Qipron. Xherdan Shaqiri dhe Gokhan Inler ua shuan ëndrrat afro 10 mijë shikuesve të pranishëm në stadiumin e Luzernit, të cilët megjithatë janë fitues, për atmosferën që e krijuan.

Kombëtarja shqiptare nuk ka mundur t’i bëjë ballë Zvicrës, në ndeshjen e dytë kualifikuese të Kampionatit Botëror ‘Brazili 2014’, edhe pse e pati përkrahjen e afro 10 mijë shikuesve, të pranishëm në stadiumin e Luzernit në Zvicër.

Skuadra Helvetike i ka shfrytëzuar si është më së miri dy gabimet trashanike të mbrojtjes shqiptare, për të fituar me meritë me rezultat 2:0, duke u shkëputur në tabelë me 6 pikë, në grupin E të eliminatoreve.

Xherdan Shaqiri i ka kaluar vendësit në epërsi në minutën e 22-të, pasi kaloi me fat mbrojtjen mysafire dhe kur doli përballë portierit Samir Ujkani, ishte i saktë, 1:0.

Kurse, një ndërhyrje e palejueshme e Armend Dallkut në mbrojtje, i kushtoi me penallti Shqipërisë, të cilën në gol e shndërroi Gokhan Inler, në minutën e 68-të.

“Është një humbje që dhemb, pasi ishim duke e kontrolluar lojën. Bëmë dy gabime dhe ia dhuruam fitoren Zvicrës, më vjen keq që morëm gola nga gabimet tona. Do të mundohemi të përmirësohemi, t’i bëjmë gjërat më mirë, për ndeshjet e ardhshme dhe të luajmë më mirë”, ka thënë selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Ekipi i italianit rrezikoi me Alban Mehën, Ervin Bulkun e Lorik Canën, që gjuajtën nga jashtë 16 metërshit, ndërsa në brendi të tij, ishin të parrezikshëm. Kjo ishte e tëra që mund të bënte ekipi shqiptar.

“Futbolli është i tillë, mund të jetë i pamëshirshëm. Pësuam gola nga gabimet tona, edhe pse deshëm t’i kënaqnim tifozët e pranishëm në stadium. Do të mundohemi t’i heqim gabimet, sepse të tria golat në këto eliminatore, i kemi pranuar nga gabimet tona”, tha mbrojtësi Cana. Në anën tjetër, zviceranët patën rastet e tyre serioze me Admir Mehmedin e Granit Xhakën.

Behrami, Shaqiri e Xhaka: Jemi krenarë që jemi shqiptarë

Futbollistët shqiptarë që e përfaqësojnë Zvicrën, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka nuk janë pritur aq mirë nga tifozeria shqiptare, e cila i ka vërshëllyer vazhdimisht.

Sidoqoftë, ata pas ndeshjes e konfirmuan dashurinë që e ndiejnë për atdheun e tyre, por thanë se janë profesionistë dhe se do të luftojnë që ekipin e Ottmar Hitzfeldit ta dërgojnë në Brazil.

“Unë jam krenar me atë që e kam bërë. Por, tifozët nuk e kanë kulturën të flasin me mua, edhe pse unë nuk kam problem me ta. Ne lojtarët jemi ambasadorë të shqiptarëve, por këtë nuk duan ta kuptojnë. Unë jam krenar që jam shqiptar, është toka ime. Familja ime jeton atje. Do ta mbaj gjithmonë tatuazhin me flamurin kombëtar”, deklaroi mesfushori i Napolit, Behrami, i cili mendon se Zvicra fitoi me meritë dhe se është skuadër më e mirë se Shqipëria.

“Jam i gëzuar që fituam. E kam ditur se do të jetë lojë emocionuese për ne. Nuk jemi marrë me mediat, e kemi shikuar vetëm lojën. Më vjen mirë për Zvicrën, por keq për Shqipërinë. Nuk e festova golin, sepse kam respekt për shqiptarët. Mua më quajnë tradhtar, por do të ishte më mirë që të informohen se si kanë qëndruar gjërat”, theksoi mesfushori i Bayern Munichut, Shaqiri.

“Nuk ka qenë e lehtë të luajmë kundër Shqipërisë. Gjakun e kemi shqiptar. Babën e nënën shqiptarë. Këta na njohin dhe e dinë që jemi shqiptarë”, ka thënë pas ndeshjes mesfushori i Borussia Monchengladbachut, Xhaka, i cili uron që Zvicra të shkojë në Brazil.

Kualifikimet për ‘Brazili 2014’

Grupi E

Zvicra – Shqipëria 2:0

Qipro – Islanda 1:0

Norvegjia – Sllovenia 2:1

Tabela

1. Zvicra 6 pikë

2. Islanda 3

3. Shqipëria 3

4. Qipro 3

5. Norvegjia 3

6. Sllovenia 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›