Shqiptarët në 2009-n paguan 7.9 miliardë lekë sigurime
Gjatë vitit 2009, shqiptarët kanë paguar 7.9 miliardë lekë sigurime, ndërkohë që dëmet e paguara nga kompanitë arrijnë në vetëm 1.7 miliardë lekë. Raporti prime/dëme mbetet më i ulëti në rajon e më gjerë, gjë që u garanton kompanive në Shqipëri fitime të konsiderueshme. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, vetëm rritja e konkurrencës do të përmirësonte këtë raport. Duke raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, Elisabeta Gjoni, drejtore e AMF-së, u shpreh: Në më të shumtën e rasteve, qytetarët, të lodhur nga burokracitë e shërbimit që kompanitë ofrojnë, detyrohen që të pranojnë pagesa vullnetare. Sipas saj, edhe pse ekziston presioni nga ana e shtetit, sërish ky treg nuk mund të sistemohet me masa administrative, por vetëm nëpërmjet konkurrencës. Operatorët e tregut të sigurimeve fajësojnë për këtë fakt mungesën e liberalizimit të çmimeve. Sipas tyre, nëse ky proces do të ndodhte, atëherë çdo kompani do të maste forcat në treg. Bardhyl Minxhozi është i idesë se niveli i ulët i raportit prime/dëme është tregues i nivelit në të cilin ndodhet ky treg. Sigurimet e detyrueshme motorike kanë zënë peshën kryesore të tregut edhe gjatë vitit që lamë pas, ndërkohë që vijon të mbetet në nivele të ulëta sigurimi i jetës apo i shëndetit.