E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Qeveria, mbrojtje të posaçme investitorëve të huaj

Do të prodhohet çelik sizmik, i cili është i rezistueshëm ndaj tërmeteve

Në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit do të prodhohet një lloj i ri çeliku, i cili quhet çelik sizmik dhe është i rezistueshëm ndaj tërmeteve. Kjo gjë u bë e njohur në vizitën e djeshme që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Dritan Prifti, zhvilloi në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, ku u takua me drejtues të lartë të kompanisë KURUM, si z. Zeki Kaya, me drejtorin e Kombinatit Metalurgjik, z. Ilir Rropi, si dhe me punonjës të Kombinatit. Në takimin që zhvilloi me drejtuesit e kompanisë turke KURUM, e cila zhvillon aktivitetin e saj në Kombinatin Metalurgjik, ministri z. Dritan Prifti diskutoi lidhur me linjën e re që kompania po instalon, që konsiston në prodhimin e çelikut sizmik dhe që përbën një investim prej 16 milionë eurosh. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës përgëzoi drejtuesit e kompanisë KURUM për investimet e kryera deri më tani dhe diskutoi me ta lidhur me atë se çfarë mund të bëjë qeveria më shumë për të mbështetur këto lloj investimesh. Kam ardhur të vizitoj një nga kompanitë më serioze që ka sot Shqipëria, një nga investitorët e huaj më seriozë, një vend ku punojnë rreth 800 persona. Kam ardhur të shoh këtë linjë të re që po instalohet për prodhimin e çelikut, që është një investim prej 16 milionë euro. Do të prodhohet një çelik, i cili do të jetë çelik sizmik, çka do të thotë se është shumë i rezistueshëm ndaj tërmeteve. Është një produkt i ri që po futet në tregun shqiptar. Unë kam ardhur të përgëzoj përfaqësuesit e kompanisë KURUM dhe të bashkëbisedoj me ta se çfarë mund të bëjë qeveria më shumë për të mbështetur këto lloj investimesh, - u shpreh ministri Prifti, duke vlerësuar faktin se investimi i kompanisë turke KURUM krijon mundësi punësimi, aktivitet ekonomik përreth tij, si dhe ndihmon në uljen e çmimeve të larta të çelikut që vjen nga importi. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës diskutoi me drejtuesit e kompanisë KURUM edhe për një projekt të ri të kompanisë, i cili ka të bëjë me ngritjen e një fabrike për thërrmimin e skrapit. Kemi diskutuar që qeveria mund ti ofrojë këtij investitori disa terrene të tjera brenda këtij Kombinati Metalurgjik, ndoshta dhe me skemën 1 Euro, sepse është një investitor serioz, i cili punon mirë dhe kontribuon në ekonominë shqiptare me punësim dhe me taksa. Duke përfituar nga vizita në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Dritan Prifti, u shpreh për rëndësinë e investimeve të huaja në Shqipëri. Qeveria, - tha z. Prifti, - po punon për një mbrojtje të posaçme për investitorët e huaj. Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. Qeveria po punon për një mbrojtje të posaçme për investitorët e huaj. Ne vazhdojmë të bëjmë reformë në këtë fushë, sepse investimet e huaja janë një pjesë e rëndësishme e rritjes ekonomike të Shqipërisë, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›