Shqiptaret në Ligën e Kampioneve

Prej pak javësh është mbyllur Kampionati i dytë kombëtar i futbollit shqiptar për femra, duke kurorëzuar fituesen e dytë, ndërsa për herë të parë një ekip shqiptar do të luajë në Ligën e Kampioneve.
Genc Ymeri, president i klubit të futbollit për femra, FK Tirana, nënvizon të ardhmen në ngritje, si dhe të rejat e turneut që sapo u mbyll, si dhe shpreson që futbolli i femrave të gjejë përkrahje më të madhe në Shqipëri.
“Futbolli i femrave në Shqipëri po gjen gjithnjë e më shumë vëmendje, dhe në Kampionatin e dytë profesionist, ne patëm një rritje të numrit të ekipeve. Madje, një prej ekipeve të reja është shpallur kampione, Ada e Velipojës”, shpjegon Ymeraj.
Liga e Kampionëve, në horizont
Kampionia e re në futbollin e femrave, Ada e Velipojës do të luajë në Ligën e Kampioneve, turne ku një ekip femrash shqiptar merr pjesë për herë të parë. Formacioni shqiptar do të ketë startin e tij në raundin e parë kualifikues në Grupin 6, ku bëjnë pjesë edhe Unia Raciborz (Poloni), PK-35 Vantaa (Finlandë), dhe Sllovan Bratislava (Sllovaki). Formati i eliminatoreve konsiston në 8 grupe me nga 4 skuadra. Sfida e parë e Adës së Velipojës është më 11 gusht.
Ana Baro, fituesja e Këpucës së Artë
Drejt elitës së profesionistëve po shkon edhe futbollistja më e mirë shqiptare, Ana Baro. Ajo po përgatit këto ditë hapin më të madh të karrierës, kalimin në një klub profesionist në Gjermani. Ana ka fituar dy herë kurorën e golashënueses më të mirë në po kaq kampionate dhe tani është në kontakte të vazhdueshme me ekipe si Magdeburgu, apo Turbin Pocdam.
“Jam duke u përgatitur për një provë të madhe në skuadrat gjermane dhe kam pasur kontakte me Magdeburgun, ekip me të cilin e kam gati të sigurt një marrëveshje. Por ajo që më entuziazmon, është interesi i Turbine Posdam, që është ekipi kampion në Gjermani, dhe kjo mund t’i ndryshojë gjërat për më mirë”, thotë Ana Baro.
Ajo ka fituar 2 herë Këpucën e Artë në Shqipëri dhe shpreson të ketë të njëjtin rendiment edhe në Gjermani. Ndërkohë, edhe Kombëtarja e femrave e Shqipërisë ka pasur disa grumbullime ku dhjetëra lojtare kanë zhvilluar testet e para për krijimin e një ekipi përfaqësues. Me një emër si Altin Rraklli në pankinë, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren e parë, para pak javësh, ndërsa po shkon drejt konsolidimit baza e skuadrës. (DW)