E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në rrezik

Shumë skuadra ku aktivizohen futbollistët shqiptarë nuk po kalojnë momente të mira në ligat të tyre. Brescia e Përparim Hetemajt dhe Armenia Bielefeld i Besart Berishës e Orhan Mustafit, veç kanë rënë një rang më poshtë. Por fati i tyre mund t’i përcjellë edhe shumë të tjerë. Nga Driton Berisha driton.berisha@gazetaexpress.com më 14 maj 2011 në ora 14:37

Sezonin që po e lëmë pas (2010/2011), nuk ka qenë i mirë për shumicën e klubeve ku luajnë futbollistët shqiptarë. Dy xhiro pa përfunduar sezonin në kampionatin italian, Brescia e Përparim Hetemajt, tashmë ka rënë në Serie B. Po ashtu, edhe Armenia Bielefeld i Besart Berishës dhe Orhan Mustafit është përshëndetur nga Bundesliga 2. Por fati i tyre mund t’i përcjellë edhe disa klube të tjera ku luajnë futbollistë të tjerë shqiptarë.

Itali

Skuadra e Përparim Hetemajt, Brescia tashmë ka rënë në Serie B. Këtë rrezikon ta bëjë edhe ekipi i Erion Bogdanit, Cesena. Kur kanë mbetur edhe dy xhiro në Serie A, Cesenas i duhen edhe tri piki nëse dëshiron të mbetet pjesë e elitës së futbollit italian të paktën edhe për një vit.

Kurse në Serie B, skuadra e Ledian Memushajt, Portogruaro, rrezikon që të bjerë një kategori më poshtë, pasi zë vendin e parafundit në tabelë me 40 pikë. Edhe Albinoleffe e Mehmet Hetemajt nuk qëndron mirë në tabelë, pasi ka vetëm tri piki më shumë sesa Portogruaro, kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në përfundim të kampionatit në ligën e dytë të Italisë.

Gjermani

Këtë sezon, skuadrat e futbollistëve shqiptarë në Bundesligë kanë pasur një sezon të mirë. Por kjo nuk mund të thuhet edhe për klubet e shqiptare në Bundesliga 2. Arminia Bielefeld ku luajnë Besart Berisha dhe Orhan Mustafi, tashmë kanë rënë në një rang më poshtë.
Por këtë rrezikon ta bëjë edhe skuadra e Flamur Kastratit, Osnabruck, e cila gjendet në pozitën e 16’të në tabelë. Osnabruck duhet të fitojë ndeshjen e fundit kundër Ingolstadtit dhe të shpresojë në një ‘kiks’ të Karlsruhes, për ta siguruar ekzistencën.

Zvicër

Derisa Zurichu i Admir Mehmedit e Adrian Nikçit dhe Baseli i Xherdan Shaqirit, Beg Feratit dhe vëllezërve Taulant e Granit Xhaka po luftojnë për titullin e kampionit në Zvicër, skuadra e Kristian Nushit, St. Gallen po rrezikon me largim nga liga.
Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përfundim të kampionatit, St. Gallen zë vendin e parafundit në tabelë me 30 pikë të tubuara. Por punët hiq më mirë nuk i ka as Grasshopper i Vullnet Bashës dhe Amir Abrashit, që ka pesë pikë më shumë sesa St. Galleni.
Ndërsa në ligën e dytë të Zvicrës, më të rrezikuarit që të largohen nga liga janë Locarno, ku luan Armand Sadiku që zë vendin e parafundit në tabelë, me 25 pikë dhe Schaffhausen i Visar Berishës që ka vetëm një pik më shumë.
Të rrezikuar janë edhe Kriens i Gëzim Shalajt dhe Winterthur i Granit Lejkajt e Emir Lenjanit, që kanë 29 pikë të tubuara. Kurse për ta siguruar mbijetesën, Aaraus së Shkëlzen Gashit e Skënder Zeqirit dhe Wolenit të Flamur Tahiratj, Alban Pnishit, Naim Haziri dhe Altin Osmanit, iu duhen edhe nga katër pikë.

Danimarkë

Skuadra e Lyngbyt, ku luan Bajram Fetai, rrezikon seriozisht të largohet nga elita e futbollit danez. Katër xhiro pa përfunduar kampionati në këtë vend, klubi i sulmuesit tetovar zë vendin e nëntë në renditjen tabelore me 32 pikë të tubuara, vetëm dy pikë larg vendit që të dërgon në divizionin e dytë. Por punët hiç më mirë nuk i ka as skuadra e sulmuesit kosovar, Erton Fejzullahut, Randers, e cila ka vetëm një pikë më shumë sesa Lyngby.

Ukrainë

Dy xhiro pa përfunduar kampionati në elitën e futbollit ukrainas, skuadra e sulmuesit shqiptar, Besart Ibraimi, Sevastopol rrezikon që të bjerë një kategori më poshtë. Ekipi i kërçovarit ka 27 pikë, një më shumë sesa Illichovets, që gjendet në pozitën e 15’të, vend i cili të dërgon në divizionin e dytë.

Kroaci

Derisa Zagreb i Fatos Beqirajt dhe Arian Ademit, është shpallur kampion i Kroacisë, skuadra e Istrës, ku luan mesfushori shqiptar nga Maqedonia, Armend Alimi, rrezikon seriozisht të largohet nga elita e futbollit kroat. Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të kampionatit, e Istra zë vendin e parafundit në tabelë me 28 pikë të tubuara, por që ka mundësi të mbijetojë nëse arrin t’i fitojë dy takimet e mbetura.

Slloveni

Edhe në elitën e futbollit slloven, ekipet ku aktivizohen futbollistët shqiptarë nuk qëndrojnë mirë. Tri xhiro pa përfunduar kampionati në këtë vend, skuadra e sulmuesit tetovar, Agim Ibraimi, NK Nafta ka 33 pikë të tubuara, një më shumë sesa Triglav, që gjendet në zonën që dërgon në play-out.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›