E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi merr kreun

Hysi e ka marrë kryesimin në renditje pas fitores që e shënoi të shtunën ndaj KEK-ut me rezultat 0:1. Privilegjin e të qenit lider i Superligës, ‘bardhezinjtë’ do ta shijojnë të paktën deri të dielën, kur Prishtina do të ballafaqohet me Ferizajn. Kurse, përballja tjetër mes Lirisë e Trepçës ’89 ka përfunduar pa fitues. Nga Express më 14 maj 2011 në ora 18:46

Hysi të shtunën është ngjitur në vendin e parë të tabelës, pasi e mposhti në Kastriot KEK-un me rezultat minimal 0:1, në kuadër të xhiros së 28-të të Superligë së Kosovës në futboll. Privilegjin e të qenit lider i renditjes, ‘bardhezinjtë’ do ta shijojnë të paktën deri të dielën, kur lideri i deritanishëm, Prishtina do të ballafaqohet me Ferizajn në derbin e kësaj xhiroje.

Hero i ‘bardhezinjve’ në fitoren ndaj ‘elektricistëve’ ishte Mentor Zhdrella, i cili e realizoi golin e fitores për ekipin e tij. Në fakt, KEK-u e nisi mirë takimin, por më pas Hysi ia doli t’i barazoj forcat në terren.

Megjithatë, në pjesën e parë nuk u shënua asnjë gol, ndonëse Hysi pati shansin më të mirë për të realizuar gol në minutën e 40-të, kur kapiteni Zhdrella me një gjuajtje prej një ndërprerje qëlloi shtyllën e portës së vendasve.

Pjesën e dytë Hysi e filloi duke e kërkuar më me ngulm golin e avantazhit. Dhe, pas disa përpjekjeve, ekipi nga Merdara ia doli të kaloi në epërsi prej 0:1 në minutën e 63-të nëpërmjet Zhdrellës.

Me këtë rezultat edhe përfundoi ky takim, pas lojtarët e asnjërit ekip nuk ia dolën të shënojnë gola tjerë deri në fund kësaj beteje. Sidoqoftë, kjo fitore është shumë e rëndësishme për Hysin, i cili me ngulm po e kërkon titullin e kampionit, për të cilin trofe po lufton edhe Prishtina.

Lira – Trepça ’891:1

Ndeshja tjetër e xhiros së 28-të e Superligës, e cila u zhvillua po të shtunën në Prizren mes Lirisë dhe Trepçës ’89, ka përfunduar pa fitues, 1:1.

Mitrovicasit e nisën furishëm takimin duke kaluar në epërsi prej 0:1 qysh në minutën e 5-të me golin që e ka realizuar Bajram Zuqaku.

Këtë avantazh Trepça ’89 e ka ruajtur deri në minutën e 65-të, pasi atëherë Liria ia doli t’i barazoi shifrat në 1:1. Kështu, humbjen prizrenasve ua evitoj goli të cilin e shënoi Ramadan Kryeziu, vetëm disa minuta pasi u inkuadrua në lojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›