E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqiptarët në rrugën e integrimit në familjen europiane”

20-12-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani takon organizatat rinore nga Kosova Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim përfaqësues të organizatës rinore nga Kosova


“Së bashku drejt Evropës” dhe grupin e liderëve të rinj. Në krye të takimit të rinjtë nga Kosova në nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë i dhuruan Kreut të Shtetit një tablo kompozicionale me tematikë patriotike, ku shpërfaqeshin bashkërisht figura të shquara të kombit shqiptar ndër shekuj, që kanë dhënë kontribut për lirinë dhe mëvetësinë e vendit, si heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, luftëtarja Shote Galica, Çerçiz Topulli, e figura të ditëve të sotme, si luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë sakrifikuar për çlirimin e Kosovës. Gjatë ceremonisë së rastit, Presidenti Nishani duke shprehur mirënjohjen e tij për këtë dhuratë simbolike u shpreh se 100-vjetori i Pavarësisë është një moment dhe një mundësi për të kujtuar të gjitha ata që kanë kontribuar në 100 vite përpjekjesh e sakrificash, pasi shqiptarët, kudo ku kanë qenë e kanë jetuar i kanë shërbyer çështjes kombëtare, lirisë, ekzistencës së tyre dhe ruajtjes së dinjitetit të kombit shqiptar. Kreu i Shtetit theksoi se 100-vjetori i Pavarësisë është një moment shumë i rëndësishëm për t’u përkulur e për të nderuar të gjitha ato përpjekje që janë bërë në interes të lirisë e të pavarësisë. Duke i falënderuar të rinjtë nga Kosova për dhuratën e bukur që i bënë Institucionit të Presidentit të Shqipërisë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe duke u uruar atyre suksese edhe për kontributin në Kosovë, Presidenti Nishani nënvizoi se shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenarë, sepse kurrë nuk u kanë rënë në qafë të tjerëve. “Kurrë nuk kemi qenë sulmues, kurrë nuk kemi qenë agresorë, por të gjitha përpjekjet tona kanë qenë përpjekje në mbrojtje të trojeve, në mbrojtje të dinjitetit, në mbrojtje të lirisë prandaj edhe ia kemi dalë. Sot Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë janë në rrugën e prosperitetit, në rrugën e konsolidimit, në rrugën e lirisë, në rrugën e integrimit në familjen evropiane”, u shpreh në Presidenti i Republikës. Kryetari i Shtetit shqiptar i inkurajoi të rinjtë nga Kosova që në fokus të punës së tyre të kenë edhe përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në botë.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›